Për trajnerin e Legias së Varshavësh, Hening Berg, kualifikimi i Kukësit në raundit e tretë të Europa League nuk është një rastësi, ndaj e konsideron një kundërshtar shumë të fortë ndaj të cilit duhet patur shumë kujdes. 45-vjecari, i cili është aktivizuar në 100 ndeshje me kombëtaren norvegjeze, nuk dëshiron ta thotë se Legia e Varshavës është favorite për t’u kualifikuar.
“Kukësi ka arritur të eliminojë dy kundërshtarë, që do të thotë se ka bërë shumë mirë në dy raundet e mëparshme. Ndaj Mlladasotit edhe pse humbi në takimin e parë arriti të përmbyste rezultatet dhe të kualifikohej në sfidën e kthimit. Është një skuadër shumë e mirë në të dyja fazat e lojës. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse duam të marrim rezultat të mirë. Ju gazetarët thoni se Legia është favorite por unë nuk mund ta theme këtë. Fusha e blerta do ta tregojë se cila skuadër e meriton të kualifikohet”.
Por a do të ishte i kënaqur trajneri norvegjez me një barazim në “Qemal Stafa”?
“Varet sesi do të shkojë ndeshja. Kukësi është një skuadër shumë e mirë, por ideja jonë është që ta fitojmë takimin. Por suksesi në këtë transfertë mund të arrihet nëse mbrohemi mirë dhe sulmojmë po kaq mirë. Mentaliteti ynë nuk do të ndryshojë, do të kërkojmë të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje të parë dhe më pas të kalojmë në raundin tjetër. Të mos harrojmë që kualifikimin arrihet pas dy ndeshjeve”.
Temperaturat e larta sipas mediave polake mund të favorizojnë lojtatët e Kukësit, që janë mësuar të luajnë në kushte të tilla, por për trajnerin norvegjez një alibi e tillë bie poshtë.
“Edhe ne jemi mësuar të luajmë me temperatura të larta. Kjo ndodhi javën e kaluar në Rumani kundër Botoshanit. Mendoj se kushtet klimaterike ndikojnë njësoj te të dyja skuadrat, pra nuk do të ketë ndonjë efekt të madh në rezultatin përfundimtar”.
Mesfushori Dominik Furman, i cili luan te Legia në formën e huazimit nga Touluse, këmbëngul se kjo përballje e dyfishtë nuk ka favoritë absolutë, edhe pse në letër Legia duket e avantazhuar. Sipas tij gjithcka mbetet e hapur dhe se vetëm fusha e blertë do ta zbulojë se cila skuadër është më e mira./ss/