Rummenigge: Nëse Guardiola largohet nuk do të ishte fundi i Botës

E publikuar: 24/07/2015 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një largim i mundshëm i Pep Guardiolës nga Bayern Munich në përfundim të sezonit futbollistik 2015-2016, nuk do të ishte fundi i Botës për kampionët e Gjermanisë. Eshtë ky mendimi i shefit ekzekutiv të bavarezëve Karl Heinz-Rummenigge. Trajneri spanjoll ka një kontratë që e lidh me Bayernin deri në verën e vitit 2016 dhe për momentin Guardiola nuk ka vendosur ende nëse do ta zgjasë apo jo marrëveshjen aktuale me klubin nga Alianz Arena. Ky i fakt nuk e shqetëson shumë Rummeniggen i cili në një deklaratë për mediat nënvizoi faktin se te Bayerni po bëjnë gjithcka për të bindur ish trajnerin e Barcelonës të qëndrojë në Mynih, por nëse kjo gjë nuk ndodh për ta nuk do të përmbysej bota.

“Jemi shumë të kënaqur me Pep i cili po bën një punë të mirë. Guardiola është një trajner shumë i zoti dhe e meriton të drejtojë një klub të madh si Bayerni. Nuk ka rinovuar ende? Unë për vete jam i qetë përsa i përket kësaj cështjeje, nëse dëshiron të qëndrojnë për ne do të ishte dicka shumë pozitive, por nëse jo nuk do të ishte fundi i botës. Nëse Pep largohet atëherë ne do të shikonim për alternativa të tjera”.

Më pas Rummenigge zbuloi se Guardiola ka një rol të rëndësishëm në klub përsa i përket vendimarrjes për transferimet e futbollistëve edhe pse jo cdo gjë bëhet sipas dëshirës së spanjollit.

“Përgjithësisht është klubi që merret me blerjet dhe shitjet e lojtarëve. Megjithatë ne asnjëherë nuk kemi marrë një vendim pa u konsultuar më parë me trajnerin dhe kundër vullnetit të tij. Do të ishte dicka e gabuar të mos diskutoje me tekinkun e skuadrës për transferimet pasi në fund të fundit është trajneri që do të punojë me lojtarët. Pep ka rolin e tij përsa i përket politikave të klubit në merkato, por jo cdo gjë bëhet sic thotë ai”./ss/