Champions Cup, Roma mund me penallti Realin

E publikuar: 18/07/2015 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fitore pas goditjes së 11-metërshave për Romën në International Champions Cup. Skuadra e Rudi Garcias mundi me rezultatin 7-6 pas penalltive Realin e Madridit në sfidën e zhvilluar në Melbourne të Australisë e vlefshme për turneun veror që po zhvillohet në 4 kontinente të ndryshme.

Edhe pse në fushë zbritën shumë yje të futbollit përfshirë këtu edhe Cristiano Ronaldon, Gareth Bale e Francesco Tottin, 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan pa gola. Që në castet e para Roma pati mundësinë e shkëlqyer për të kaluar në avantazh por tentativa e Daniele De Rossit u ndal nga traversa ndërsa në vazhdimin e aksionit provoi edhe Totti por edhe goditja e tij u ndal nga mbrojtja e Realit mbi vijën e portës. Me kapitenin por edhe Gervinhon si dhe blerjen e re Iago Falque në sulm Roma ishte më e rrezikshme se formacioni i drejtuar nga Rafa Benitez. Ronaldo dhe Bale nuk kishin freski në këmbët e tyre dhe Los Blancos e kishin të vështirë të kërconin portën e mbrojtur nga De Santcis edhe gjatë minutave në vazhdim. Kur kishte kaluar dicka më shumë se gjysmë ore lojë Garcia zëvendësoi Tottin me Doumbia, një lëvizje e cuditshme e trajnerit francez por kapiteni nuk polemizoi aq më tepër që sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është nxjerrë në shitje nga verdhekuqët dhe ka nevojë të aktivizohet për të rënë sa më shumë në sy. Në pjesën e dytë Reali u shfaq më kërkues por goli mungoi madje De Santcis bëri ndërhyrjen shpëtimtare 5 minuta përpara fundit kur ndali me këmbë tentativën e Lucas Vasquez. Për të përcaktuar skuadrën fituese u nevojit goditja e 11-metërshave. Pas plot 14 penalltive, Seydou Keita përfitoi nga gabimi i vetëm i bërë nga blerja e re e Realit Lucas Vasquez duke realizuar për ti dhënë Romës fitoren me shifrat 7-6.