Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Personave të Dhunuar në luftë, Minire Begaj-Balaj, ka treguar se sa persona kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale.
“Ne tashmë në shkurt të vitit 2021 bëjmë tri vite që kemi filluar zyrtarisht si komision. Deri më tani i kemi 1338 raste që kanë aplikuar në komision në nivel të Kosovës. Atyre që ua kemi njohur statusin janë 894 ku shumica janë gra, derisa kemi edhe 31 burra që ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”.
Derisa ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka propozuar që të rishikohet afati prej pesë vjetësh për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Begaj-Balaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se punojnë bazuar në afatin ligjor aktual dhe mbetet të shihet nëse ky afat do të hiqet ose ndryshojë në të ardhmen.
“Sipas ligjit në fuqi, afati ligjor për ata që duan të aplikojnë dhe ta fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet. Ky është afat ligjor prej momentit kur ne kemi nisur punën zyrtarisht si komision”.
“Ne si komision jemi të thirrur që të punojmë brenda këtij ligji. Ne kemi pesë vjet afat si komision, por që në Rregullore të Punës së komisionit thuhet se nëse komisioni nuk arrin që t’i përfundojë lëndët, atëherë qeveria mund t’ia vazhdojë mandatin për të përfunduar gjithë procesin”.
“Ne si komision jemi një institucion administrativ dhe ne punojmë bazuar në ligj. I mbetet kohës që të shohim në të ardhmen, por ne aktualisht kemi një afat dhe duhet të zbatojmë rregullat që janë në fuqi”.
Por, a ngurrojnë tani, pas tri vjetëve punë të këtij komisioni, më pak gratë dhe burrat që kanë qenë viktima të dhunës seksuale të aplikojnë për të pasë statusin e viktimës së dhunës seksuale?
“Ne fillimisht si komision e trajtojmë për herë të parë aplikacionin si lëndë dhe gjithë dokumentacionin që pala e ka bashkangjitur. Storia ose narracioni shkruhet nga pala ose personi i autorizuar nëse aplikon përmes OJQ-ve dhe e shqyrtojmë. Në raste të caktuara kur komisioni nuk i ka të qarta disa çështje brenda lëndës rregullorja na ka dhënë mundësinë që komisioni e fton palën në intervistë ku pala sqaron këto çështje”.
“Prej fillimit kur kemi nisur punën si komision, gjendja ka ndryshuar për të mirë. Në fillim kur kanë ardhur palët kanë ngurruar. Është e vërtetë se ne në intervistë nuk jemi të gjithë anëtarët e komisionit të pranishëm, por jemi tre anëtarë. Megjithatë palët kanë ngurruar se ka pasë raste që palët e kanë ndarë historinë e tyre për herë të parë me komisionin. Gradualisht gjendja ka ndryshuar për të mirë dhe e kanë kuptuar që komisioni e ka për të mirën e tyre dhe që jemi aty për të kuptuar ngjarjen dhe jo për t’i lënduar”.
“Palët e kanë të drejtën që të kërkojnë që të paraqiten te komisioni që nuk janë të pakta rastet, sepse palët e kanë kuptuar që shprehen më lehtë kur janë përballë me anëtarët e komisionit sesa ta shkruajnë një narracion të traumës”.