Marrëveshja e nënshkruar së fundi ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila pret aprovimin e menaxhmentit të Bordit ekzekutiv të FMN-së, deri në fund të muajit korrik, do t’ia lehtësojë Kosovës hyrjen në kredi te mekanizmat tjerë financiarë ndërkombëtarë.
Përveç tjerash, kjo marrëveshje do të lejojë Qeverinë e Kosovës që të hyjë në deficit buxhetor për 90 milionë euro shtesë.
Kështu bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ekonomistë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, thotë se programi i cili përfshin një mbështetje financiare prej 185 milionë eurosh për buxhetin e Kosovës, do të ketë siguri të mjaftueshme në financat publike për të hyrë në projekte zhvillimore.
“Programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si tërësi, është në linjë edhe me programin e Qeverisë së Kosovës dhe me strategjinë, e cila vetëm ka filluar të përgatitet. Programi me FMN-në ka vendosur disa indikatorë të përcjelljes së aktiviteteve në sektorin publik, siç janë implementimi i sistemit të plotë të prokurimit elektronik në fund të këtij viti, dhe përfundimisht në vitin 2016”.
“Po ashtu, ky program do të ndihmojë në rritjen e prokurimeve të centralizuara në kuadër të prokurimeve të përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, si dhe do të ndihmon që të rrisim efikasitetin e shfrytëzimit të parasë publike”, shpjegon Shahini.
Gjatë kësaj jave, Republika e Kosovës ka arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, siç thuhet, për realizimin e disa projekteve kapitale, të cilat ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Selim Thaçi, ekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar sqaron për Radion Evropa e Lirë se me këto mjete i është mundësuar Kosovës, që pavarësisht kufizimit ligjor që deficiti të jetë 2 për qind, ta tejkalojë këtë deficit për 90 milionë euro shtesë.
Por, sipas tij, kushti për të tejkaluar këtë deficit buxhetor, është që këto 90 milionë euro të shfrytëzohen për projekte kapitale.
“Marrëveshja prej 180 milionë eurosh është një lloj përkrahje buxhetore që në vete përmban edhe komponentin e interesit për këto para që Qeveria e Kosovës i merr. Pra, nuk janë para falas, janë kredi. Por, por kur shikohen rregullat dhe normat që aplikon në këto raste, janë aq të ulëta. Norma e interesit për këto mete që shfrytëzohen prej FMN-së është diku 1.0 për qind”, tregon Thaçi.
Ai tregon se këto mjetë prej 180 milionë eurosh nuk kanë destinim të veçantë. Siç thotë Thaçi, FMN-ja jep para për buxhetin e Kosovës dhe më pas Qeveria vendos se ku i ekzekuton këto para.
“Fakti që Kosova ka hyrë në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar po të lejon një stabilitet. Hyrja në marrëveshje me FMN-në të jep kredibilitet kur të shkohet të negociohet për kredi me mekanizmat tjerë financiarë ndërkombëtarë”, thekson Thaçi.
Ndryshe, ekspertët e çështjeve ekonomike vazhdimisht iu kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës të marrin kredi te mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.
Huazimi i parave për projekte kapitale zhvillimore, sipas tyre, do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit.
Ata theksojnë se Kosova nuk do të rrezikojë asgjë nëse futet në këto kredi dhe fillon të investojë në projekte kapitale, pasi që borxhi i ulët publik i mundëson Kosovës të marrë kredi./rel/