Nga mbi 13 mijë aplikime për azil nga Shqiperia 1,040 rezultuan me fat. Por është Franca vendi që ka dhënë më shumë vendiame pozitive dhe jo Gjermania. Ndersa nga Kosova, vetem 830 fituan azilin.
Disa shqiptarë aplikuan dhe u refuzuan në vende si Islanda apo Lihtenshteini. Një në 13 shqiptarë që aplikuan për azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit të kaluar arriti ta fitojë statusin e azilantit, një numër gati dy herë më i lartë se sa në vitin 2013, bëhet e ditur nga të dhënat e databazës statistikore të Eurostat. Shumica dërrmuese e vendimeve pozitive u morën në Francë dhe në Britaninë e Madhe ndërsa shqiptarët patën më pak fat në vende si Gjermania, Suedia apo Greqia.
Të dhënat statistikore mbi aplikimet për azil dhe vendimet përkatëse raportohen në bazë mujore dhe vjetore nga vendet anëtare te Eurostat me një metodologji të njëjësuar që nga viti 2007 si pjesë e Procesit të Dublinit, një marrëveshje mes vendeve anëtare të BE-së për mënyrën e trajtimit të aplikimeve të azilkërkuesve.
Numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil duke deklaruar se u rrezikohet jeta apo përndiqen politikisht në atdhe është shumëfishuar gjatë viteve të fundit për të shënuar nivelin më të lartë më 2015. Në vitin 2008, sipas të dhënave të Eurostat, qenë 1,080 shqiptarë që aplikuan për azil, më së shumti në Francë, Greqi dhe Belgjikë. Nga këto, 145 vetë arritën ta fitojnë statusin e azilantit politik. Por në vitin 2014, azilkërkuesit nga Shqipëria arritën në 13,350 vetë nga të cilët, 1,040 morën përgjigje pozitive. Por ndryshe nga perceptimi, është Franca dhe jo Gjermania vendi që ka dhënë më shumë vendime pozitive për azil. Gjatë vitit 2014 psh, gjykatat franceze dhanë vendime mbi 5800 aplikime shqiptarësh për azil dhe 555 prej vendimeve qenë pozitive.
Përkundrazi, në gjykatat gjermane u dhanë 3 mijë vendime për aplikimet e shqiptarëve dhe vetëm 75 prej tyre rezultuan pozitive.
Shqiptarët duket se kanë pasur më shumë fat me gjykatat e vendeve anëtare të BE-së se sa aplikantët nga vendet e tjera të Ballkanit. Gjatë vitit 2014, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës aplikuan për azil dhe vetëm 830 prej tyre e fituan. Numri i vendimeve pozitive për serbët qe vetëm 400 nga 22 mijë ndërsa për maqedonasit u dhanë vetëm 70 vendime pozitive nga 8185 vendime gjithsej.
Gjatë vitit të kaluar shqiptarët e provuan fatin në 15 nga 28 shtetet anëtare të BE-së, si dhe në disa shtete dhe minishtete jashtë BE-së. Në Norvegji pati 205 vendime për kërkesa për azil të cilat qenë të gjitha negative ndërsa dhjetë shqiptarë aplikuan për azil në Islandën e largët dhe 5 morën vendime negative nga gjykata në minishtetin e Lihtenshteinit. /reporter.al/