8 celularë që nuk janë më “mall kinez”

E publikuar: 30/05/2016 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pse ka qenë e vërtetë për disa kohë që telefonat kinezë ulnin cilësinë që të konkurronin me çmimin, tani gjërat kanë ndryshuar. Ja disa nga emrat që kanë krijuar besueshmëri.

Në vitin 2015, firma analitike Canalys tha që Xiaomi është telefoni më i mirë kinez, vend që më parë e mbante Huawei, dhe madje ia kaluar me përqindje tregu në Kinë edhe Samsungut, që dikur ishte i pari për shitje. Lenovo vjen menjëherë pas Samsung-ut.

Telefonat kinezë tashmë kanë pushtuar tregje jo vetëm në Kinë apo vende jo të pasura, por edhe në vende perëndimore, duke ofruar cilësi të lartë dhe çmim konkurrues.  Disa prej tyre janë zgjeruar aq shumë sa edhe çmimet e tyre kanë nisur të rriten e të përafrohen me markat e njohura, por prapë mbeten më lirë. Këto janë vetëm disa prej telefonave kinezë që ofrojnë besueshmëri.

1. Oneplus, telefoni që hyri në treg me parametra shumë të lartë dhe një metodë të veçantë marketingu, duke u shitur me ftesa, tashmë pritet të nxjerrë në treg Oneplus 3, i cili është miratuar të futet edhe në tregun amerikan. Pritet të ketë ekran 5.5 Full HD (1080p), Procesor Qualcomm Snapdragon 820, 64GB memorie, dhe deri në 6GB RAM. Kamera 16 MP.

2. ZTE synon gjithashtu të futet në tregjet perëndimore me telefonin më të ri, Axon 7, i cili konkurron për nga parametrat marka të njohura si Samsung Galaxy S7, por me çmim shumë më të lirë.  Ka ekran 5.5, 1440 piksel Amoled, ashtu si Galaxy S7, duke lënë pas iPhone6S, LG G5 dhe HTC10. Kamera 20 Mp.

3. Xiaomi është zyrtarisht marka më e preferuar në Kinë me Android, dhe tani, me MI5 dhe MI MAX, ia ka vënë syrin edhe tregjeve perëndimore. Xiaomi MI5 ka procesor Snapdragon 820, ndërsa MAX ka Snapdragon 620. Vijnë me 3 GB RAM dhe kamera 16 MP.

4. Oppo ka vite që sjell telefona me parametra tepër të lartë, e kohët e fundit nxori Oppo F1 Plus, me procesor me 8 bërthama, 2.0 GHz, 4 GB RAM, kamera 13 MP dhe ekran 5.5 Full HD.

5. Huawei është një nga kompanitë më të vjetra kineze të telefonave, e cila ka bashkëpunuar me shumë marka perëndimore. Telefoni i tyre më i fundit, Huawei P9, ka një bashkëpunim me Leica për kamerën, dhe vjen me 3 GB Ram, ekran 5.2, procesor Kirin 955 2.5 Ghz dhe kamera 12 MP.

6. Lenovo mbetet një nga telefonat më të pëlqyer në Kinë e jo vetëm. Kompania ka nxjerrë disa variante me parametra shumë të fuqishëm që kanë pushtuar tregun, sidomos variantet “Vibe” K4 dhe K5. Oferta e tyre më e fundit quhet Droid, dhe pritet të paraqitet më 9 Qershor.

7. Meizu, një emër jo i dëgjuar nëpër botë, por që në vitin 2015 hyri me Meizu 5 Pro, celulari më i shtrenjtë që kishte bërë kjo kompani. Edhe pse prodhimi është bërë vetëm për në Kinë, celulari ka çipset që ka përdorur Galaxy S6 si dhe materiale të forta. Ky celular krijoi besueshmëri dhe bëri kompaninë që të vijë këtë vit me Meizu Pro 6, me ekran amoled, 5.2. Ka procesor 2.5, 4 GB RAM, kamera 21 MP

8. Asus është gjithashtu një kompani tajvaneze, e njohur për prodhimin e pjesëve të kompjuterit, por që premton të sfidojë edhe celularët e njohur me Zenfone 3, që pritet të dalë së shpejti. Asus pritet ta tronditë tregun me tre telefona të ndryshëm që do të kenë nga 4GB deri në 6 GB RAM, Procesor Snapdragon nga 625 në 820, memorie të brendshme nga 128 GB deri në 256 GB, me ekrane 5.5 deri në 6.8, Full HD, kamera nga 16 MP deri në 23 MP.

Marka të tjera që ende nuk kanë shumë treg, por që kanë ofruar produkte me cilësi, janë gjithashtu Vivo, Coolpad, Umi, Elephone, Alcatel, Ulefone, Infocus, Doogee, LeTV, Gionee, THL, etj.

/tch/