79 raste të reja me koronavirus në Kosovë, numri shkon në 362

E publikuar: 12/04/2020 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

79 raste janë konfirmuar pozitive sot me koronavirus. Kjo është bërë e ditur nga IKSHPK-ja përmes një njoftimi për media.

Sipas njoftimit nga gjithsej 250 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën Studentore, me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej 79 raste.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, tridhjetë e pesë (35) prej tyre nga komuna e Ferizajt (sipas vendbanimeve në qytetin e Ferizajt dymbëdhjetë (12) raste, Greme tetë (8) raste, Mirash shtatë (7) raste, Lloshkobare katër (4) raste, Slivovë dy (2) raste, Neredime një (1) rast dhe Manastirc një (1) rast), gjashtëmbëdhjetë (16) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit dhjetë (10) Prizren dhe gjashtë (6) Skorobisht, Han të Elezit gjashtë (6) raste, nga komuna e Vitisë 6 raste- fshatin Ramjan katër (4) raste, Pozharan dy (2) raste, nga komuna e Gjilanit tri (3) raste (sipas vendbanimit dy (2) raste Gjilan dhe një (1) rast Lladovë, nga komuna e Malishevës dy (2) raste (sipas vendbanimit: Malishevë një (1) rast dhe Banjë një (1) rast), nga komuna e Vushtrrisë dy (2) raste (sipas vendbanimit: Vushtrri një (1) rast dhe Pestovë një (1) rast, dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Burojë-Skenderaj, Qabiq-Klinë, Kramovik-Rahovec, Fushë Kosovë, Istog, Mitrovicë e veriut, Leposaviq Zubin Potok dhe Hodonovc-Kamenicë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, nga data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 362 me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftim.