Presidenti i Barcelonës, Jose Maria Bartomeu flet për momentin pozitiv që po kalon ekipi nën drejtimin e Luis Enriques, por gjatë intervistës dhënë për mediat spanjolle, numri 1 i shoqërisë “Blaugrana” ndalet edhe në disa tema pikante që lidhen me klubin që ai drejton. Fillimisht Bartomeu ndalet te zërat për një krizë të mundshme në fillim të sezonit mes trajnerit dhe Lionel Messit, ndërsa vlerëson punën e bërë nga Luis Enrique.
“Nëse më duhet t’i vendos një notë marrëdhënies mes Messit dhe Enriques unë i vendos notën 10. Gjithsesi, trajneri ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë lojtarët. Ai po zhvillon një punë shumë të mirë dhe gjatë muajve të ardhshëm do të diskutojmë për zgjatjen e kontratës. Unë besoj se ai ka si objektiv të qëndrojë edhe për shumë vite të tjerë me skuadrën tonë”.
Bartomeu ndalet më pas te marrëdhenia me ish Drejtorin Sportiv, Andoni Zubizarreta.
“Te Barcelona ka pasur dorë të lirë. Ishte ai që mori vendimet e merkatos në verë për ndërtimin e skuadrës. Cikli i tij te klubi përfundoi por unë dëshiroj që të jetë i pranishëm te Barcelona dhe i kam dërguar një mesazh për të qenë i pranishëm në finalen e UEFA Champions League. Nëse do të jetë e nevojshme, do të flas me të”.
Bartomeu hedh dritë edhe mbi çështjen Ancelotti, një emër që u mendua se Barcelona dëshironte ta ulte në pankinë.
“Në lidhje me emrin e Ancelottit dua të sqaroj se nuk ka asgjë të vërtetë dhe të them të drejtën zërat më kanë zemëruar disi. Kjo më bën të mendoj se njerëz të ndryshëm dëshirojnë të destabilizojnë klubin tonë. Braida nuk ka një listë me emrat e trajnerëve për të ardhmen dhe ky është një lajm fals”.
Dani Alves është një nga çështjet më delikate në kampin katalanas por Bartomeu thekson se e ka bërë një ofertë dhe vendimi i takon lojtarit, ndërsa sipas tij, Messi e shikon të ardhmen vetëm në “Camp Nou” ku do të vazhdojë të luajë edhe për shumë vite.
“Për vitin 2015 nuk kam asnjë dyshim që Topin e Artë e meriton Messi. Ka zhvilluar një sezon fantastik dhe mendoj se ka evoluar edhe më shumë si lojtar pasi është pjekur. Messi është më i miri i historisë së këtij sporti dhe besoj se i ka merituar të gjithë topat e artë që ka fituar”.
Në fund të intervistës, Bartomeu nuk shprehet aspak i habitur nga Luis Suarez, duke theksuar se ai vazhdon të jetë “Këpuca e Artë”./supersport/