Rasti i njehsorëve elektrikë, Prokuroria autorizon policinë të nisë hetimet dhe grumbullimin e provave

E publikuar: 03/04/2026 11:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehsorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehsorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

Në këtë drejtim, sipas Prokurorisë, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i Shtetit, thotë se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.