Pamundësia e Kosovës për të marrë një kod ndërkombëtar telefonik të vetin i ka kushtuar rreth 65 milionë euro deri tani, sepse është e obliguar t’i paguajë kompanitë në Monako dhe Slloveni për huazimin e kodeve të tyre telefonike.
“Për shkak të mungesës së kodit telefonik, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) i ka paguar Telekomunikacionit të Monakos rreth 48 milionë euro për kodin telefonik, vetëm për tatimin e llogaritjes”, tha Arsim Bilalli nga PTK.
“Edhe 17 milionë të tjera shpenzohen çdo vit në asistencë teknike, shpenzime trafiku, roming, sinjalizim dhe kartelat për mbushje”, shtoi Bilalli, duke e sjellë çmimin total në 65 milionë euro.
Telekomunikacioni i Monakos ka qenë ofruesi i kodit telefonik për Kosovën që nga konflikti i 1999. Ky rrjet u vendos gjatë administrimit të OKB në Kosovë dhe vazhdon edhe sot.
Sa herë që dikush thërret një celular Vala ndërkombëtarisht, ata përdorin +377, që është kodi i Monakos. Vala menaxhohet nga PTK që është pronë e qeverisë.
Telekomunikacioni slloven është operatori i dytë celular në vend. Kosovarët me një telefon të rrjetit IPKO përdorin +386, kodin e Sllovenisë.
Nën një marrëveshje të arritur më 8 shtator, 2013, Kosova duhet të kishte një kod tre-shifror nga Bashkimi Ndërkombëtar për Telekomunikacion, ITU, nga janari 2015.
Sipas kësaj marrëveshjeje, një licencë për telefoni fikse do t’i lëshohej një përfaqësie të një kompanie serbe, në mënyrë të gjithë operatorët të përdornin kodin e personalizuar të Kosovës.
Më herët këtë javë, ministrja për Dialog nga Kosova dhe kryetarja e Ekipeve Teknike të Kosovës në Bruksel, Edita Tahiri, tha se Kosova do ta marrë kodin e saj, +383, nga fundi i vitit. Sipas Tahirit, Austria do të aplikojë për kodin e Kosovës në ITU.
Por kryetari i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Djuric, ka thënë që kjo është e pamundur pa lejen e Serbisë.
“Kosova nuk mund të marrë një numër ndërkombëtar pa lejen e Serbisë, sipas rregullave të ITU. ITU nuk e njeh Kosovën si një entitet të ndarë nga Serbia”, pohoi Djuric.
Mbetet jo e qartë nëse një marrëveshje përfundimtare do të arrihet.
‘Telekom Srbije’ ka vetëm një mbulim të limituar në Kosovë, dhe distributorët funksionojnë vetëm në rajone dhe enklava me shumicë serbe.