Tirana i jep fund spekulimeve në lidhje me trajnerin Gugash Magani. Vendi i tij nuk vihet në diskutim, Magani do të qëndrojë deri në fund të sezonit. Nëpërmjet një komunikate për shtyp klubi bardheblu ju jep fund zërave që flisnin për mundësinë e shkarkimit të teknikut 50 vjecar, duke bërë të ditur se asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim vazhdimësinë e tij në krye të skuadrës pas derbit të së hënës së kaluar. Klubi thekson se Tirana mbetet në garë për titullin, dhe përderisa matematika e lejon, skuadra ka për detyrë të besojë dhe të marrë pikët e plota në tre ndeshjet e mbetura. Në këtë mënyrë garantohet vazhdimësia me Maganin deri në fund të kampionatit, dhe më pas klubi do të analizojë gjithë ecurinë dhe do të marrë vendimet e duhura për të ardhmen. Tirana nuk ka harruar të falënderojë edhe tifozët bardheblu për mbështetjen që i dhanë skuadrës në derbi duke ju kërkuar që të vazhdojnë të përkrahin skuadrën në takimet e mbetura.
Për sa i përket Gjergji Muzakës, i cili u dëmtua në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në Lac duke e mbyllur aty sezonin, Tirana ka bërë të ditur se mesfushori të hënën e ardhshme do të udhëtojë drejt Romës për të operuar gjurin e dëmtuar. Muzaka do ta kryejë ndërhyrjen kirurgjikale në një nga klinat më të specializuara. Falë ndihmës së Drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tare për Muzakën është rezervuar një vend në spitalin ku kryejnë ndërhyrje të tilla në gju futbollistët e Lazios./supersport.al/