Belgjikë, ndërron jetë lojtari i Lokeren, Gregory Mertens

E publikuar: 30/04/2015 18:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zi në futbollin belg. 24-vjecari Gregory Mertens ndërroi jetë pak orë pasi humbi ndjenjat në fushë për shkak të një ataku kardiak. Lojtari u rrëzua në tokë kur kishin kaluar vetëm 20 minuta nga ndeshja mes rezervave të Genkut dhe Lokerenit duke u transportuar menjëherë në spital ku ndërroi jetë disa orë më vonë. Ish lojtari i Kombëtares Shpresa të Belgjikës nuk kishte shfaqur probleme kardiake në të shkuarën por autopsia pritet të zbardhë shkaqet e vërteta të vdekjes së tij që ka tronditur futbollin belg.

“Ndodhi diçka që askush nuk do të kishte dyshuar apo imagjinuar. Shumë herët, i themi lamtumirë Gregory Mertens”, shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit të Lokeren. Në vijim, kominikata nënvizon faktin se stafi mjekësor bëri gjithçka për ta mbajtur lojtarin në jetë por kjo ishte e pamundur dhe familja tashmë do t’i japë lamtumirën e parakohshme. “Gregory ndodhej në klubin e Lokeren që prej një viti e gjysmë. Ai ishte një njeri modest por ne tashmë duhet të mësohemi me humbjen e tij. Këto janë momente shumë të vështira për familjen e tij dhe në ju shprehim gjithë mbështetjen dhe ngushëllimet tona të sinqerta”, përfundon kominikatën klubi belg.