Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat, Imet Rrahmani, Lutfi Zharku, Arban Abrashi, Memli Krasniqi e Ferid Agan, kanë qëndruar sot në Gjilan, ku janë pritur nga kryetari i Komunës Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë.
Fillimisht kryetari Lutfi Haziri e njoftoi kryeministrin Mustafa me punët, angazhimet, problemet dhe sfidat në qeverisjen në Gjilan, ndërsa më pas kanë vizituar 3 kompani të suksesshme, “Premium Tobacco Group”, “Ask Food” dhe “Fluidi” për të parë nga afër punën e madhe që po bëjnë ata.
Kryetari Haziri, pasi falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën, tha para gazetarëve se ka njoftuar në detaje për nevojën e mbështetjes në infrastrukturë dhe në sektore tjera.
“Sot ishte një ditë jashtëzakonisht e mirë për Gjilanin. Para kryeministrit kemi paraqitur programin tonë për gjashtëmujorin e dytë dhe propozimet tona, poashtu, në përballimin e investimeve të kërkuara për Gjilan. Kryeministri dhe ministrat janë të njoftuar në detaje dhe unë besoj shumë që Gjilani si qytet më i madh regjional do ta ketë mbështetjen në infrastrukturë, në bujqësi dhe në programe të tjera që janë të domosdoshme për ta zënë hapin e zhvillimit të komunave dhe regjioneve tjera”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka marrë mbështetjen e parezervë nga kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, i cili tha se me rishikim, do ta rris buxhetin për Gjilanin.
“Rritje të buxhetit të Komunës së Gjilanit sigurisht se do të ketë. Do ta keni parasyshë situatën e tanishme sepse edhe kjo Komunë edhe disa të tjera kanë trashëguar borxhe të mëdha nga e kaluara. Ne disa përmirësime do t’i bëjmë me rishikimin e buxhetit për Gjilanin, por edhe për disa komuna të tjera, ndërkaq do ta kemi një buxhet më ndryshe nga viti 2016 sepse do ta bëjmë një planifikim më të mirë dhe mund të lirohemi prej disa obligimeve të mëdha të cilat i kemi sivjet tek infrastruktura”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri Mustafa, pas vizitave në kompanitë e sipërpërmendura, tha se puna e tyre tregon se situata në terren nuk është ashtu siç prezantohet në opinion sepse, megjithatë, Gjilani ka biznesmenë shumë të suksesshëm.
“Sot pamë punë të mrekullueshme në Gjilan. Biseduam me kryetarin e Komunës për problemet që kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturë, me rregullimin e ambientit, me investimet të cilat kanë mbetur akoma të papërfunduara. Vizituam disa firma të cilat janë shumë të suksesshme dhe të cilat tregojnë se situata në terren nuk është ashtu sic prezantohet në opinion sepse, megjithatë, ne kemi biznesmenë shumë të suksesshëm të cilët kanë bërë shumë punë të mirë dhe që janë konkurrues, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në tregun regjional dhe europian”, ka shtuar kryeministri.
I pari i ekzekutivit rikonfirmoi mbështetjen e madhe edhe për bujqit e Gjilanit me subvencione, duke besuar në rezultate shumë të mëdha të Komunës së Gjilanit.
“Na gëzon fakti që ekziston një përkrahje e madhe nga Ministria e Bujqësisë për prodhuesit bujqësor dhe një ndërlidhje shumë e mirë me ta për finalizimin e produkteve të tyre dhe kjo na jep shpresë se në të ardhmen ne do të shohim rezultate më të mëdha në Komunën e Gjilanit. Qeveria do të përkrah dhe gjithmonë do të modifikojë politikat fiskale dhe politikat tjera zhvillimore karshi kërkesave të biznesit sepse për neve mbetet orientim themelor ta rrisim punësimin, ta rrisim cilësinë e biznesin, të përkrahim bizneset e vogla dhe të mesme, veçmas sektorin privat”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa.