Lamtumira në këtë moment nuk është më edhe aq e vështirë. Pippo Inzaghi është vetëm një hap larg shkarkimit. Milani i tij humbi sërish me San Siron që tha “mjaft” para dhe pas takimit me Genoan, një thirrje që nuk i drejtohej vetëm atij, por shoqërisë në tërësi, si përgjegjëse për këtë katastrofë thuajse të paprecedentë.
Në fushë kuqezinjtë duhet të tregonin krenari dhe se ishin në krah të trajnerit, por në fakt krejt e kundërta ndodhi. Ndërkohë Pippo qëndron në pritje të vendimit të shoqërisë, teksa me qetësi ka drejtuar seancën stërvitore të radhës.
Galliani nga ana tjetër duket se është pajtuar me idenë e largimit të Inzaghit dhe ka gati Cristian Brocchin, trajnerin e ekipit Primavera, për të drejtuar skuadrën deri në fund të sezonit. Janë momente vendimtare këto për Milanin, jo vetëm për Inzaghin por në fakt edhe për drejtuesit e shoqërisë.
Berlusconi po negocionon shitjen e një pjese të aksioneve për t’i hapur rrugë kështu fillimit të një epoke të re, si dhe për të mbyllur një epokë të lavdishme që për hir të së vërtetës nuk e meritonte këtë fund.