Disfata e Bayernit në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë me Borussian e Dortmundit i dha fund ëndrrave për triumfin e trefishtë, por kostoja e saj mund të rezultojë shumë më e lartë për skuadrën bavareze që vazhdon të humbasë pjesë të rëndësishme para sfidës në Champions League me Barcelonën. Mungesave të Ribery, Alaba e Badstuber për Pep Guardiolën i janë shtuar në një ndeshje të vetme edhe ato të Arjen Robben dhe Robert Lewandowskit. Robben u rikthye në fushë pas një mungese prej më shumë se një muaji, duke u futur në lojë si zëvendësues në minutën e 68-të, por nuk mundi të luajë më shumë se 16 minuta dhe u detyrua të dilte sërish para fundit të ndeshjes. Lajmi i keq për holandezin erdhi në mesditë, Robben ka pësuar një tërheqje në pulpën e majtë dhe sezoni i tij mund të konsiderohet i mbyllur. Por dhimbjet e kokës për Guardiolën nuk mbarojnë këtu, pasi spanjollit i duhet të shqetësohet edhe për Robert Lewandowskin. Për sulmuesin është pothuajse e sigurt se do të humbasë gjysmëfinalen e parë me Barcelonën, madje Lewandowski rrezikon të ketë mbyllur që tani gjithë sezonin. Sipas doktorit polak të skuadrës Jacek Jarosewski sulmuesi ka pësuar një thyerje në nofull, ndërsa agjenti i futbollistit Cezary Kucharski shkruajti në Twitter: “Nuk duket mirë, nuk mund të them asgjë më tepër”.
Dëmtimet e fundit mund të rezultojnë fatale për shpresat e Bayernit në Champions, Lewandowski ishte shfaqur në formën e tij më të mirë kohët e fundit pas një fillimi të sezonit jo dhe aq të mirë me klubin e tij të ri, dhe dha një ndihmesë të madhe në fitoren 6-1 ndaj Portos me dy golat e tij. Tani duket se duke përjashtuar ndonjë mrekulli ai do të mungojë në ndeshje e parë ndaj Barcelonës duke ulur në mënyrë të ndjeshmë fuqinë goditëse të Bayernit. Me Barcën që për momentin gëzon shëndet të plotë, gjërat nuk duken edhe aq mirë për Guardiolën në vigjilje të përballjes me ish skuadrën e tij.