Trupi i pajetë i një 60-vjecari të aksidentuar në rrugën Lezhë-Milot, pasi është gjetur nga kalimtarët, është dërguar në morgun e Lezhës nëpërmjet një kamionçine.
Ngjarja skandaloze është regjistruar nga kamerat, ndërsa për këtë kanë qenë dëshmitarë edhe tre efektivë të Policisë. Ata dhe një punëtor e vendosin kufomën në një mushama dhe më tej e hedhin në karroceri.
Viktima është identifikuar si Gëzim Sula. Ai gjeti vdekjen pasi u godit nga një makinë. Situata shokuese e transportimit të viktimës vjen sepse morgu i Lezhës nuk ka një autoambulancë, ndërsa ndalohet transportimi trupave të pajetë me autoambulancat e spitalit. Të paktën ky është sqarimi që ka dhënë për mediat drejtori i spitalit të Lezhës.
Pas publikimit të rastit, Policia nisi hetimet për ngjarjen, ndërsa pezulloi tre punonjësit e Policisë të përfshirë në këtë ngjarje, për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës. /Klan/