Qeveria e Kosovës ua ka zvogëluar për 6 milionë euro buxhetin e planifikuar për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kjo “tkurrje” ka ndodhur në procesin e rishikimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2015, ku nga 24 milionë euro, sa ishin ndarë fillimisht për këtë kategori, tashmë janë lënë në dispozicion vetëm 18 milionë euro. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të Luftës, Agim Çeku, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” shkurtimin e buxhetit për veteranët për 6 milionë euro.
Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarim nga Ministria e Financave në lidhje me këtë çështje, ndonëse, siç thotë ai, nuk i ka pëlqyer ky vendim. “Po, kam biseduar me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, dhe ai është arsyetuar se meqenëse buxheti prej 24 milionë eurosh për veteranët është i pashfrytëzuar, atëherë ato 6 milionë janë alokuar për një linjë tjetër buxhetore”, ka thënë ai.