Me iniciativë të presidencës së Kosovës, si pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci, Kosova tashmë është anëtarësuar në Justice Action Coalition (Koalicioni i Veprimit për Drejtësi), duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar te qytetarët në të gjitha nivelet.
“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare, të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Osmani, duke rikonfirmuar edhe një herë përkushtimin e palëkundur për forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë dhe jashtë saj.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidenca, Republika e Kosovës, përgjatë vitit të kaluar, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.
Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci ishte folëse në seancë plenare me presidentin Macron, kryeministrin britanik, Sunak dhe kancelarin gjerman, Scholz, ku ndër të tjera, riafirmoi se përkushtimi i Republikës së Kosovës për demokraci ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.