MZHE nuk menaxhon me NP-të, rrjedhimisht nuk mbështet asnjë menaxher

E publikuar: 17/03/2015 16:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Zhvillimit Ekonomik sqaron opinionin se artikulli me titull “Ministria e Blerand Stavilecit mbron Predrag Bozhoviqin, familjarin e të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit”, të publikuar sot me 17.03.2015 nga portali Veriu.info, i shpërndarë edhe nga portale tjera, nuk përmban asnjë të vërtetë lidhur me relacionin që MZHE ka me ndërmarrjen në fjalë, e aq më pak me të apostrofuarin, drejtorin e hidrocentralit të Ujmanit.

Ndërmarrjet Publike nuk janë pjesë e MZHE-së dhe bazuar ne Ligjin mbi NP, neni 131, Themeluesi-Aksionari në këtë rast MZHE dhe Qeveria, nga momenti i themelimit nuk kanë autorizim për të menaxhuar me NP.

Përgjegjësinë për Drejtimin e NP-së e kanë Bordet e Drejtorëve, të cilët së bashku me menaxhmentin kanë kompetencë dhe përgjegjësi për menaxhimin me NP-në. Menaxhmentet e NP-ve, i përgjigjen Bordeve të Drejtorëve përderisa bordet e emëruara nga aksionari-Qeveria, për punën e tyre i përgjigjen Aksionarit.

MZHE mbetet e përkushtuar për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të  publikut, ndërkaq çdo raportim jo korrekt nuk i shërben informimit të drejtë të qytetarëve dhe përbën shmangie nga etika e gazetarisë.