Kurti takon gjeneralin Clark

E publikuar: 19/04/2022 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark, shkruan InfoSot.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit.

Në këtë njoftimthuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimin e ekonomisë dhe reformat e nisura nga qeveria.

“Duke biseduar për angazhimin e qeverisë ndaj perspektivës së re të energjisë, u tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të punojë drejt diversifikimit të burimeve energjetike të vendit dhe ruajtjen e sigurisë së furnizimit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Emilija Rexhepi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe investitorë të huaj.

Gjatë diskutimit, ministrja Rizvanolli ka folur për procesin drejt finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe planit të veprimit, për një tranzicion të drejtë energjetik për vendin.

Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se është ritheksuar angazhimi i Qeverisë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike që ofrojnë siguri të furnizimit.

Ndërkaq, Gjenerali Clark e uroi kryeministrin për të arriturat e deritanishme dhe shprehu mbështetje për synimet e qeverisë./InfoSot/