Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është nderuar sot me titullin, “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Evropian i Tiranës.
Këtë çmim presidenti Thaçi e ka pranuar nga presidenti i këtij Universiteti, ku së bashku me dy profesorët , Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe Prof. Dr. Ferit Duka, kanë vendosur që këtë çmim t’ia ndajnë presidentit Thaçi.
“Senati akademik i Universitetit Evropian të Tiranës më datën 18 të muajit janar me rekomandim të dy profesorëve të këtij Universiteti, Tonin Gjuraj dhe Ferit Duka kanë vendosur që ta nderojnë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me titullin “Doctor Honoris Causa”, ka thënë presidenti i këtij Universiteti.
Çmimi presidentit Thaçi ju dha në një konferencë me ç’rast u treguan arsyet pse senati i këtij Universiteti ka vendosur t’ia jap Thaçit.
“Nisur si vendim i këtyre të dyve dhe si vlerësim për kontributin e tij në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si dhe për nxitjen dhe bashkëpunimin në shërbimin akademike dhe shkencore në të dy vendet vendoi t’i jap zotëri Hashim Thaçi titullin “Honoris Causa” me motivacionin për kurajën e madhe, maturinë dhe atdhedashurinë që zotëri Thaçi ka shfaqur në ditët më të vështira për Kosovën, për liri dhe paqe dhe për kontributin e tij të pandalshëm për të ndërtuar një vend të lirë dhe demokratik, një vend të shenjtë ku pakicat si ato serbe, boshnjake dhe turke mbrohen me të drejtën e ligjit dhe trajtohen si të barabarta”, i ka përmend disa nga arsyet për të cilat është nderuar presidenti Thaçi me këtë titull.
Ndër tjerash presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës u shpreh se ky çmim Thaçit i jepet “veçanërisht për kontributin e tij si kryeministër i Kosovës dhe si president të rrëzimit të barrierave në mes Prishtinës dhe Tiranës, njohjen reciproke të diplomave, për të hapur kështu një tregë të përbashëkt në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, për kontributin e tij për avancimit në botën demokratike”.
Kjo është hera e dytë që presidenti Thaçi nderohet me këtë titull, herën e parë është nderuar nga Universiteti i Tiranës, ndërsa gjatë ditës së sotme këtë titull ai ka marr nga Universiteti Evropian i Tiranës. /Insajderi.com
















