Kurti i përgjigjet Lajçakut: Nuk frikësohemi për Asociacionin, por jemi të kujdesshëm

E publikuar: 02/02/2022 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, ka folur rreth deklaratave të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka kërkuar marrëveshje të ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Gjatë konferencës që ka mbajtur Lajçak në Prishtinë, ka kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këto deklarata, shefi i Qeverisë, gjatë vizitës që i ka bërë Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror, ka thënë se interes i Kosovës mbetet integriteti territorial dhe funksionaliteti shtetëror dhe kushtetutshmëria, teksa ka lënë të nënkuptohet se Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të themelohet.

“Kosova me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne i shërbejmë qytetarëve të republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit të pavarur të Kosovës i republikës sonë demokratike e sovrane është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetërorë, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria.

Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme për dialogun që zhvillohet i lehtësuar apo i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kryeministri ka potencuar se nuk janë negociuar modele të mundshme të themelimit të Asociacionit. Ai ka thënë se të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuar me nivelin më të lartë të standardeve evropiane.“Kosova nuk frikësohet Asociacionit, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme.

Ne mbrojmë interesat e shtetit tonë, që është integriteti territorial, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet në Bruksel dhe jemi konstruktiv. Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm të punojmë dhe kur punojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog.

Nuk janë biseduar modele të formimit të asociacionit, të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara me nivelin më të lartë të standardeve evropiane”, ka thënë Kurti.“Parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshje nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv jemi serioz dhe njëkohësisht e vënë theksin te ajo që po pajtohen gjithnjë me shume faktorët ndërkombëtarë e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Joe Biden qe marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.