Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim për aprovimin Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme, shkruan infosot.
Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme për vitin 2017-2018 përfshin gjithsej 1567 asete, prej tyre 46 të reja sipas kategorive me sa vijon: 14 asete te reja në trashëgiminë arkeologjike, 23 asete në atë arkitekturore, dy asete në trashëgiminë e luajtshme dhe shtatë asete të reja në trashëgiminë shpirtërore, ndërsa për pejsazhet kulturore nuk ka pasur propozime te reja
Këtë vit, Lista është plotësuar edhe me asete te reja nga fusha e trashëgimisë shpirtërore, kategori kjo që nuk ka qene e dokumentuar, hulumtuar, studiuar dhe promovuar sa meriton. Në mesin e shumë propozimeve, në Listë janë përfshirë: Vallet e Karadakut, Jeta dhe Veprimtaria gojore e Xhemajl Abrisë, Kërcimet e Drenicës, Sofra Pejane, Ushqimet tradicionale dhe Lojëra tradicionale. Gjithashtu, për këtë kategori janë shqyrtuar edhe dy propozime si Veprimtaria e SH.K.A. “Agimi” në Prizren dhe Zejet artistike, e për te njëjtat Grupi punues ka kërkuar informata plotësuese para përfshirjes në Listë.
Ministri Gashi u shpreh se “Asetet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme karakterizohen për vlerat historike, arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore, shoqërore dhe edukative. Kjo listë e asteve të trashëgimisë dëshmon për antikitetin tonë dhe na bën ta kuptojmë mënyrën e jetesës që nga periudhat e hershme e deri më sot në vendin tonë.”
Në kuadër të këtij procesi, të përditësimit të listës, ministri Gashi ka themeluar një komision profesional për të vlerësuar ato asete që janë propozuar për largim nga lista. Komisioni përkatës, pas vlerësimit të aseteve në terren, duke filluar nga sot e deri në fund të vitit do të dorëzojë raporte të detajuara për secilin aset sipas prioriteteve dhe veprimet që duhet te ndërmerren. Deri më tani, nuk është larguar asnjë aset nga lista, dhe janë përgatitur edhe 92 propozime tjera për t’u futur në listën e asteve për mbrojtje të përhershme./infosot/