43 milionë euro i kushtuan buxhetit të Kosovës 142 projekte për rregullimin e lumenjve nëpër Kosovë. Këto 142 projekte, sipas një raporti, ishin hartuar keq, nuk kishte mbikëqyrje, nuk kishin plan studimi dhe ishin realizuar keq. Me një fjalë 43 milionë euro, sipas këtij raporti që e ka siguruar InfoSot, i mori lumi.
Pamjet janë ende të freskëta të vërshimeve në Skenderaj dhe Mitrovicë. Lumenjtë dolën nga shtrati dhe shkaktuan dëme milionëshe.
Mirëpo, kjo gjendje mund të mos ishte kështu, nëse 142 projekte që ishin nisur për pastrimin dhe rregullimin e lumenjve do të menaxhoheshin më mirë.
Shkaku i dyshimeve për keq-menaxhim në këto projekte që kapin vlerën e 43 milionë eurove, MAPH krijoi një grup punues që t’i analizonte të gjitha projektet. Përfundimet e nxjerra në raport janë si mos më keq. Pothuajse asnjë projekt nuk është kryer siç duhet. Nga ndërhyrjet e stafit politik, mos përputhja e faturave, pozicione të paqarta të punimeve, nisja e punimeve pa projekt e pa studim, janë disa nga gjetjet e raportit për shqyrtimin e projekteve kapitale të zbatuara në fushën e ujërave.
InfoSot ua sjell raportin e plot me të gjeturat e grupit punues.
Për rregullimin e shtratit të Lumit Drenica në Drenas, projekti ideor dhe kryesor ishin dorëzuar bashkë dhe në të njëjtën kohë. Raporti vë në dukje se kjo nuk duhet të ndodhte, pra këto projekte nuk duhet te dorëzohen përnjëherë, por ndaras sepse secila fazë duhet të shqyrtohet dhe vlerësohet në pikëpamje kohore në mënyrë adekuate.
“Nga dosja e shqyrtuar nuk është hasur në dëshmi mbi pranimin dhe dorëzimin zyrtar te projektit kryesor nga ana e hartuesit dhe pranuesit të tij. Të faza e dytë e këtij projekti, Agjencia Anti Korrupsion kishte bërë rekomandim për anulimin e këtij tenderi. Edhe Auditori kishte dhënë vërejtje për tejkalim të vlerës së projektit ne raport me buxhetin e paraparë me KASH. Ministria e kishte anuluar tenderin”, thuhet në raport.
Po ashtu Ministria nuk ka evidencë për kontrollimin e punës te ofruesit te shërbimeve për defektet e projektit.
“Titulli i projektit ‘hidroinstalimet’ në rastin e dokumentacion projektues për rregullimin e lumenjve nuk korrespondon me përmbajtjen sepse në përmbajtje të dokumentacionit projektues nuk ka asgjë që ndërlidhet me hidroinstalimet. I njëjti lëshim është edhe te arkitektura, elektrika dhe pjesa tekstuale. Ministria, me rastin e ri-tenderimit ka kërkuar shkurtimin e paramasës dhe parallogarisë për tenderin e lumit Drenica dhe Vërbovc. Sipas kompanisë projektuese, paramasa dhe parallogaria janë zvogëluar nga 3,210,000.00 EUR ne 1,311,000.00 EUR. Gjatë shqyrtimit, GP ka pasur paqartësi për të konstatuar se cilat pozicione ishin shkurtuar”.
Renovimi dhe ndërtimi i infrastrukturës mbrojtëse përgjatë lumit Morava e Binqës në Viti kishte kontratën bazë dhe aneks-kontrata në vlerë gjithsej: 1,207,393.02 EUR. Në fakt, nuk kishte pasur elemente te bashkëfinancimit me komunën e Vitisë, sepse të gjitha faturat i ka paguar Ministria. Anomalia më e madhe në këtë projekt është se ishte nisur pa projekt, duke rënë në kundërshtim me ligjin.
“I kemi 3 Marrëveshje te Mirëkuptimit për Bashkëfinancim ne mes te Ministrisë dhe Komunës se Vitisë, ne vitin 2018, vlera 400,000.00 EUR, viti 2019, 400,000.00 EUR dhe viti 2020, 500,000.00 EUR. Ne shkresat e lendes nuk kemi hasur se ka projekt, është konfirmuar se puna e zhvilluar ne lumin Morava e Binqes për renovimin dhe ndërtimin e infrastrukturës mbrojtëse është kryer pa projekt, vetëm me paramase dhe parallogari, veprime këto qe nuk janë ne përputhje me legjislacionin ne fuqi”.
Rregullimi i shtratit te lumit Krivareka deri te ura Domoroc
Faza e pastrimit te lumit është zhvilluar vetëm ne bazë te paramases dhe parallogarisë ne vlere prej 94,586.50 EUR.
Projekti “Faza I-Rregullimi i shtratit te lumit Krivareka deri te ura Domaroc” është kontraktuar ne vlere prej 737,501.18 EUR.
Projekti për rregullimin e shtratit te lumit Krivareka nuk ka pëlqim ujor, pëlqim mjedisor, nuk ka leje ndërtimore. Projekti kryesor ka pasur vetëm pranim fizik te projektit, dhe nuk ka vlerësim nga komisioni se projekti është pranuar ne bazë të detyrave projektuese, shqyrtimit dhe vlerësimit.
Vlera e hartimit te dokumentacionit ndërtimor prej 83,351 EUR, te projekti kryesor vëllimi I dhe II i kolektorit te ujerave te zeza janë te vulosura nga kompania projektuese, por te pa nënshkruara nga projektuesi.
Rregullimi i shtratit te lumit Toplluha në Suhareke
Mungon vendimi i hartuesit te projektit mbi emërimin e hartuesve të projektit dhe gjithashtu mungojnë deklaratat e përgjegjësisë se projektuesve.
Projektit kryesor i mungon studimi hidrologjik i cili është baze për dimensionin hidraulik te shtratit te lumit.
Ministria ne cilësinë e investitorit nuk ka realizuar kontrollim profesional dhe teknik ndaj hartuesit të projekteve, nuk ka dëshmi për ndonjë vlerësim profesional përveç në ndonjë rasti kur ka dëshmi te pranimit fizik të projekteve.
Askund ne dosjen e projektit nuk është hasur se njësit kërkuese kanë bërë detyra projektuese para fillimit të hartimit të dokumentacionit teknik, vlera e kontratës 449,344.20 EUR.
Ky projekt nuk ka leje ndërtimore, pëlqim ujor dhe pëlqim mjedisor. Ministria ne rolin e investitorit ka angazhuar kompaninë mbikëqyrës te jashtme Insi&North Ëest nga Prishtina për mbikëqyrje profesionale.
Raportin final të punëve të përfunduara e ka nënshkruar menaxheri i projektit pa komision bazuar ne raportet e kompanisë mbikëqyrëse, ndërsa pranimin e faturave pa komision përfundimtar e ka pranuar Koordinatori i projekteve. Këto veprime te ndërmarra nuk janë pajtueshmëri me planin për menaxhimin e kontratës dhe praktikave te zbatuara nga Ministria.
Rregullimi i shtratit te lumit Lepenc në Kaçanik
Kërkesa për Ministrinë, për ndërtimin e shtratit te lumit Lepenc te Kaçanik-ut e kishte bere Komuna e Kaçanikut, ndërsa inicimin e procedurave te prokurimit ne nivel te Ministrisë e kishte bere Koordinatori i projekteve në atë kohë, jo njësia kërkuese.
Te tre anëtaret e komisionit janë me profesion arkitekt, dhe asnjë prej tyre në bazë të njoftimeve nuk është inxhinier i fushës përkatëse, pra hidro-inxhinier dhe inxhinier i ndërtimit. Në bazë të Raportit te pranimit teknik, dëshmohet se pranimi teknik është realizuar ne mungese te lejes ndërtimore.
Raporti flet për të gjitha projektet nga viti 2016 deri 2021 që kapin vlerën e 43 milionë e 282 mijë e 196 euro. Milionat janë shpenzuar, mirëpo gjendja është e njëjtë, lumenj të papastër, vërshime të shpeshta, dalje nga shtrati të lumenjve./Infosot/
Raporti-i-GP-per-projekte-ujore__08.10.2021_final_per_nenshkrim-1 (1)