43.4 për qind e ekonomive familjare s’mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro

E publikuar: 08/01/2024 22:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inflacioni, i cili preku nivelit që tejkalon disa dekada, ka karakterizuar shumë vende të botës gjatë viteve të fundit. Në vitin 2022, norma vjetore e inflacionit në Kosovë arriti në 11.6 për qind. Raporte ndërkombëtare konstatuan se pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve përmes skemave të asistencës sociale të qeverisë, ato rezultuan të jenë jofleksibile dhe patën ndikim tejet minimal tek shtresat më të cenuara.

Një anketë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës gjatë vitit 2022 nxjerr në pah krizën e kostos së jetesës që kanë kaluar qytetarët e vendit vitet e fundit.

“Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e asistencës sociale është jofleksibile dhe mund të sigurojë vetëm mbrojtje të kufizuar për më të cenuarit. Rritja e inflacionit po ushtron gjithashtu presione në rritje të pagave”, thuhet ndër të tjera në një raport të Bankës Botërore.

Ndonëse viti 2023 pati një rënie graduale, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2022 arriti në një shkallë prej 11.6 për qind. Një rritje stratosferike të çmimeve krahsuar me vitetet paraprake.

Rritja eksponenciale e inflacionit vështirësoi gjendjen financiare të shtresave më të cenueshme të shoqërisë, duke bërë të vështirë kalimin e muajit për shumë familje në Kosovë.

Sipas Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës 2022, e publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 43.4 për qind e ekonomive familjare nuk janë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake, ndërsa vetëm 56.6 për qind mund ta bëjnë këtë.

Një tjetër fakt interesant që vjen nga Anketa e ASK-së është përballueshmëria e ekonomive familjare me koston e shujtës që përfshinë mishin, pulën, dhe peshkun.

Sipas ASK, 49.2 për qind e ekonomive familjare nuk janë në gjendje të përballen me kostot e një shujte të tillë çdo dy ditë.

Në një kohë kur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar 2024, duke u mundësuar vizitat në shtetet brenda zonës Schengen, rezultatet e anketa e ASK-së tregojnë se një pjesë e madhe e ekonomive familjare nuk do të jenë në gjendje të përballojnë shpenzimet për një javë pushimi larg shtëpisë.

Anketa e ASK-së tregon gjithashtu se një pjesë e madhe e familjeve nuk mund të përballojnë të kalojnë pushimet njëjavore larg shtëpisë.

“Rreth 45.7% e ekonomive familjare në Kosovë mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë, duke përfshirë qëndrimin në një shtëpi tjetër (shtëpi vikendi), apartament ose tek miqtë ose të afërmit, përderisa 54.3% e ekonomive familjare nuk mund ta përballojë këtë shpenzim”, thuhet në Anketën e ASK-së.