
Drug addiction
Rreth 550 të varur nga droga e llojit heroinë trokasin për të kërkuar ndihmë në dyert e organizatës jofitimprurëse, “Aksion plus”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori i Aksion Plus, Genci Muçollari tregon se kostot për çdo pacient shkojnë rreth 1 euro në ditë.
Numri i përdoruesve të drogës, që i drejtohen për ndihmë organizatës Aksion Plus në kryeqytet është 200 persona. Aksion Plus ka edhe filial në qytetet: Vlorë, Shkodër, Elbasan, Durrës dhe Korçë ku rreth 300 përdorues në total shkojnë për trajtim. Duke përllogaritur dhe 50 veta që marrin trajtim në burgje, shkon në 550 numri i të gjithë atyre që marrin trajtim me medikamentin qetësues metadon për heroinën. Çmimet e drogës në vendin tonë janë më të ulëta se në të gjithë rajonin dhe kjo ndikon në shtimin e numrit të përdoruesve.
Muçollari shprehet se“Në Shqipëri rreth 40 mijë persona janë përdorues të drogërave të llojeve të ndryshme. Në vendin tonë droga më e përdorur aktualisht është marijuana, kjo për shkak të çmimit të lirë që ka dhe për faktin se nuk është një drogë e fortë. Pas saj vjen heroina, por është vënë re kohët e fundit një trend në rritje i përdoruesve të kokainës”


















