
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani
Presidentja Osmani shënon përvjetorin e katërt në detyrë me mesazh përkushtimi ndaj Kosovës, ndërsa analist, gazetar dhe qytetarë ndajnë qëndrime të kundërta për rolin e saj institucional.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shënuar katër vjetorin e saj në krye të shtetit me një mesazh publik përmes rrjeteve sociale, ku thekson përkushtimin e saj të pandalshëm ndaj vendit.
“Çdo ditë, para se gjithash Kosova! Katër vjet në shërbim të qytetarëve. Katër vjet për Republikën! Katër vjet Presidente, betim i përjetshëm për Kosovën!”, ka shkruar Osmani.
Ky përvjetor ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe atë analitik. Vlerësimet janë të ndara – disa e shohin Osmanin si një përfaqësuese të denjë në arenën ndërkombëtare, ndërsa të tjerë e kritikojnë për mungesë të angazhimit të brendshëm.
Afërdita Maliqi kritike ndaj Osmanit: Katër vjet si notere e Kurtit, pa qëndrim për çështje kyçe të shtetit
Analistja politike Afërdita Maliqi ka dhënë një vlerësim kritik për mandatin katërvjeçar të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në krye të shtetit. Ajo e përshkruan rolin e Osmanit si protokollar dhe të varur nga pushteti ekzekutiv, duke theksuar mungesën e qëndrimeve të qarta për çështje madhore kombëtare dhe kushtetuese.
“Osmani ka ardh në pushtet si pjesë e një marrëveshjeje koalicioni me VV, dhe pothuajse i ka qëndru besnik asaj marrëveshjeje, duke e luajt një rol protokollar në detyrën e saj dhe duke mos pas qëndrim në çështjet e rëndësishme,” tha Maliqi.
Sipas saj, Presidentja ka vepruar më shumë si një zgjatim institucional i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, sesa si një figurë e pavarur dhe unifikuese.
“Duke qenë se shpesh e ka bërë rolin e noteres të Kurtit, kjo ka ndiku që në një moment të mos përfillet edhe nga njerëzit më të afërt të saj që i ka pas me parti, si Donika Gërvalla, e cila në fund e shpërfilli për çështjen e Asociacionit,” shtoi analistja.
Maliqi vlerëson se gjatë këtyre katër viteve, Osmani ka dështuar të ushtrojë funksionet që i takojnë me ligj dhe me Kushtetutë, duke munguar në skenat vendimtare të shtetformimit dhe në përballje me sfida të rënda.
“Në tërësi në këto 4 vite nuk kemi pa një rol, çfarë asaj i takon, me ligj dhe Kushtetutë. Shto këtu se ajo nuk ka pas një qëndrim as ndaj procesit në Hagë dhe në përvjetorët e rëndësishëm të shtetit, kur Hashim Thaçi ka qenë protagonist – ajo as nuk e ka përmendur emrin e tij, duke treguar edhe njëherë se nuk ka dal jashtë petkut partiak”, përfundoi Maliqi.
Astrit Veliqi: Vjosa Osmani mishëroi diplomacinë e Kosovës dhe përfaqësoi denjësisht vendin në botë
Gazetari Astrit Veliqi vlerëson rolin e Presidentes Vjosa Osmani si thelbësor në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në ruajtjen e raporteve strategjike me aleatët, veçanërisht me SHBA-në.
Në prag të përmbylljes së katër viteve në detyrë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vlerësime të ndryshme nga figura të ndryshme të jetës publike në vend. Veliqi, i cili ka ndjekur nga afër punën e presidentes, ka dhënë një vlerësim të lartë për kontributin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në ruajtjen e imazhit të shtetit të Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani gjatë këtij mandati 4-vjeçar të saj si presidente e Republikës së Kosovës ka treguar lidership sidomos në përfaqësimin e vendit në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare, duke e përçuar dhe ngritur zërin e Kosovës në tribunat dhe tryezat e rëndësishme ku janë marrë vendime të fuqishme dhe është mbrojtur me forcë historia dhe e ardhmja e Kosovës,” tha Veliqi.
Ai vlerëson se, pavarësisht sfidave të brendshme dhe përplasjeve të nënkuptuara me kryeministrin Albin Kurti dhe disa ministra të qeverisë, Osmani ka ruajtur një ekuilibër institucional dhe ka reflektuar pjekuri politike në përfaqësimin e shtetit.
“Përkundër ndërskamcave që ajo ka pasur herë-herë në planin e brendshëm nga kryeministri Kurti dhe ministrat e tij që edhe e kanë futur si një ‘mashë’ të tyre, në shumë raste ajo ia ka dalur të ruaj balanca meritore si një prijëse e mishëruar e diplomacisë kosovare,” shtoi ai.
Një prej aspekteve që Veliqi e sheh si sukses të veçantë të Osmanit është mënyra e menaxhimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në veçanti presidentja Osmani ka ditur të ruaj dhe të kultivojë raportet me aleatët e përjetshëm të shtetit të Kosovës, e në veçanti me administratën amerikane, duke u portretizuar edhe nga vetë zyrtarët e saj si aleatja më e fuqishme e SHBA-së në Prishtinë,” u shpreh Veliqi.
Ai kujton një prej momenteve më të forta të presidencës së Osmanit: përballjen me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Kombet e Bashkuara, ku Osmani kishte përkrah viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë.
“Besoj të gjithëve na kujtohen përballjet e fuqishme që Osmani ka pasur me Vuçiqin në Kombet e Bashkuara, kur ajo kishte mbrapa saj, gratë e fuqishme të Kosovës që kishin përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës, duke ia përplasur presidentit serb në fytyrë historinë e dhimbshme dhe tragjike por reale të Kosovës,” theksoi ai.
Në përmbyllje, Veliqi tha se fakti që një grua ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në skenën ndërkombëtare për katër vite, është një vlerë më vete për vendin.
“Veç përfaqësimi i Kosovës nga një presidente grua për këto 4 vite ka qenë një plus i madh jo vetëm për shtetin e vogël por me histori të lavdishme të Kosovës, por edhe një imazh i rëndësishëm i saj edhe në sferën e integrimit por edhe si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës,” përfundoi gazetari.
Për të pasqyruar edhe zërin e qytetarëve, ekipi ynë mori mendimet e dy prej tyre.
F.D., 34 vjeçe, aktiviste për të drejtat e grave:
“Unë jam krenare që kemi një presidente si Vjosa Osmani. Ajo është zëri ynë jashtë vendit dhe ka treguar dinjitet e forcë. Jam veçanërisht mirënjohëse për angazhimin e saj në mbrojtje të grave të dhunuara gjatë luftës. Kjo është lidership i vërtetë – përfaqësim që na bën të ndihemi krenarë si gra dhe si qytetare.”
A.K., 45 vjeç, ekonomist nga Prishtina:
“Mua më duket se Vjosa Osmani ka humbur mundësinë për të qenë presidente mbi palët. Ka heshtur në shumë momente kritike për vendin dhe nuk ka mbajtur qëndrim të pavarur. Të qenurit presidente nuk do të duhej të ishte vetëm për përfaqësim jashtë, por edhe për ta unifikuar vendin brenda. Në vend që të shfaqet si figurë e unitetit, ajo më shumë ka qenë pjesë e një krahu politik.”
Katër vjet pas betimit të saj në krye të shtetit, Vjosa Osmani mbetet një figurë që ngjall diskutime të thella në opinionin publik. Balanca mes përfaqësimit ndërkombëtar dhe rolit të brendshëm institucional pritet të jetë përcaktuese për trashëgiminë e saj presidenciale. /Kosova.info