Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka treguar se aspekti ligjor në komunën të cilën ai drejton është në gjendje shumë të keqe.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haskuka ka treguar se sot është informuar se janë rreth 4 mijë padi nga qytetarët.
“Në takim me përfaqësuesen e vetme ligjore e cila është duke mbrojtur interesin e publik të komunës në gjykatat e Kosovës, u informova që sot janë rreth 4000 padi nga qytetarë, kompani të ndryshme private apo agjenci. Kjo do të thotë që në 16 vitet e fundit çdo ditë pune është ngritur nga një padi nëpër gjykata kundër Komunës së Prizrenit”, ka shkruar Haskuka.
Haskuka ka treguar se këto padi do t’i kushtojë buxhetit të komunës mbi 50 milionë euro, shumë kjo e cila është më e lartë sesa buxheti vjetor i komunës së Prizrenit.
“Një analizë e shpejtë e këtyre padive tregon që vlera e tyre mund të shkojë mbi 50 milionë euro, këto eventualisht do të paguhen prej buxhetit të Komunës së Prizrenit dhe kjo shumë është më e lartë sesa buxheti vjetor i Komunës së Prizrenit. Përkthyer në vepra, zyrtarët e qeverisë së kaluar, në 16 vite të fundit, me kontrata të dëmshme, mospunë dhe me shkelje ligjore çdo ditë pune kanë dëmtuar Komunën me rreth 12.000 Euro”, ka përfunduar Haskuka. /Insajderi.com


















