Me nisjen e veprimeve sindikale pas pezullimit të Ligjit për Pagat, nga politika kanë ardhur një varg reagimesh.
Duke e mbrojtur ligjin, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar atë në përputhje me kushtetutën.
Ai ka thënë se i kupton shqetësimet e ngritura, por shpreson në një vendim më të shpejtë të Kushtetueses për të, raporton KTV.
Por, ngjashëm për ligjin nuk mendon edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatari për formimin e qeverisë së ardhshme, Albin Kurti.
Sipas tij, pasi Kushtetuesja të nxjerrë vendimin, do t’i adresojnë gjetjet e tij, duke nënvizuar se ndryshimet në ligjin aktual, janë të nevojshme.
Derisa deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar mjekët gjatë ditës, pas raportimeve se nuk u është ofruar kimioterapia, pacientëve të prekur me kancer.
“Në asnjë vend normal greva nuk prek rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashur mjekë, kaluat këtë kufi”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku në Facebook.
Derisa KMDLNJ, duke kërkuar pezullimin e veprimeve sindikale deri në nxjerrjen e vendimit, ka kritikuar mes tjerash SBASHK-un, duke i përmendur rezultatet e testit PISA, që dolën në fillim të këtij muaji.
“SBASHK-u, në vend se të marrë përgjegjësi për rezultate katastrofale në testin e PISA-s, me grevën e paralajmëruar, në mënyrë aktive po kontribuon në degradimin e sistemit arsimor, duke legalizuar në këtë mënyrë analfabetizmin funksional,” thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.