Afro 10 milionë euro neto kanë fituar institucionet mikrofinanciare për 9 muaj nga lëshimi i kredive të shpejta për qytetarët. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë kësaj periudhe 23 institucione mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë kanë ndarë kredi në vlerë 217.1 milionë euro.
Prej tyre, mbi 147 milionë euro janë ndarë për ekonomitë familjare, ndërsa 69.8 milionë euro janë lëshuar për korporata jofinanciare. Por njohës të çështjeve ekonomike kanë ngritur shqetësim lidhur me formën e operimit të tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kamatat me një mesatare prej 20.2 për qind, sipas tyre, janë shumë të larta për standardet e qytetarëve të Kosovës. Disa prej këtyre institucioneve, sipas këtyre njohësve, kanë keqpërdorur funksionin e tyre, duke zhytur qytetarët në borxhe të shumta. Kjo ka rezultuar edhe me mbylljen e dy institucioneve të tilla “Monego”dhe “Iute Kredit” gjatë kësaj jave nga Banka Qendrore e Kosovës, pasi që normat e interesit shkuan deri në 1000 për qind dhe rrezikuan stabilitetin financiar të vendit.
Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë për gazetën se këto institucione po rrezikojnë në vazhdimësi sistemin financiar të Kosovës dhe kjo po ndodh para syve të BQK-së.