Fakti që është i dënuar tri herë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për tri vepra të ndryshme penale, nuk e ka penguar Fahri Fazliun që të punësohet në Zyrën Ligjore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Ndonëse Gjykata Themelore i ka konfirmuar Kohës Ditore së i njëjti është dënuar dy herë me gjobë e një herë me burg, sipas Fazliut dhe Zyrës për medie të KEK-u, ai, siç edhe ka qenë e kërkuar me konkurs, i ka sjellë dëshmitë nga Gjykata dhe Policia se nuk është i dënuar dhe nuk ka qenë nën hetime.
Fazliu i ishte nënshtruar konkursit të publikuar më 1 mars të vitit 2018, derisa punën e kishte filluar më 12 qershor të po atij viti. Ndërkohë që tani, siç edhe e ka konfirmuar KEK-u, ai është caktuar si ushtrues detyre i menaxherit të një departamenti në Zyrën Ligjore të KEK-ut.
Fahri Fazliu është djali i Fadil Fazliut, zyrtar i Lëvizjes për Bashkim, i cili kishte qenë kandidat për deputet i kësaj partie në një listë me PDK-në. Ndërkohë që në rrjetin social Facebook, Fahri Fazliu ka të publikuara disa fotografi me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Dënimet ndaj Fazliut i ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi. “Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se ndaj personit F.F. në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë zhvilluar tri raste për veprat penale nga nenet 188, 332 dhe 297 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Gashi… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.