Nga tash e për dy vitet e ardhshme, kushdo që do të vie në krye të Qeverisë nuk do ta ketë hallin e luleve. Kjo pasi që Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 35 mijë e 793 euro me kompaninë D.P.T. “Lulishtja Labi” për furnizim me lloje të ndryshme të luleve dhe kurora lulesh, raporton Infosot. Sipas njoftimit zyrtar të datës 29 korrik 2025, kontrata është lidhur për një periudhë dyvjeçare si kontratë publike kornizë, shkruan Infosot.
Ky furnizim është rezultat i një procedure të hapur prokurimi, ku kanë konkurruar gjithsej tre operatorë ekonomikë. “Lulishtja Labi” është përzgjedhur si ofertuesi me çmimin më të ulët, ndërsa vlera më e lartë e ofruar në këtë tender ishte 49 mijë e 430 euro.
Objekti i kontratës është furnizimi i rregullt i Zyrës së Kryeministrit me lule dhe kurora lulesh, sipas nevojave që mund të përfshijnë ceremoni shtetërore, pritje zyrtare apo raste protokollare.
Shpenzimet e Qeverisë Kurti kanë shënuar rritje nga viti në vit, kryesisht për darka e dreka. Kurti derisa ishte në opozitë kritika më e ashpër e tij ishte për shpenzime lluksi, që i quante ai. Tash në pozitën e kryeministrit të Kosovës, vetëm për 6 muaj zyra e Albin Kurtit ka shpenzuar mbi 100 mijë euro për dreka e darka, udhëtime e meditje, duke shënuar një rritje enorme të shpenzimeve./Infosot/

















