33 të arrestuar në Karaçevë për bixhoz, trafikim me njerëz, armë e narkotikë

E publikuar: 19/09/2020 10:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmë pas një aksioni në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, nëpërmejt një komunikate për media, ka sqaruar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

Sipas komunikatës, zyrtarët policor brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, ndërsa, gjatë aksionit janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

“Ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor. Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin, ku për detaje dhe informacione shtesë do të vazhdojmë t’iu mbajmë të informuar pas operacionit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.