32 raste të reja me koronavirus në Kosovë

E publikuar: 26/04/2020 22:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

32 raste të reja me koronavirus janë shënuar në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK.

Sipas njoftimit, sot janë testuar 297 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e tre (23) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: katërmbëdhjetë (14) raste Pejë, pesë (5) raste Nakëll dhe katër (4) raste Bllagajë), katër (4) raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, dy (2) raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë-Suharekë dhe Shtime”, thuhet në njoftim.

IKSHPK ka njoftuar gjithashtu se është shëruar edhe një pacient, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 166 raste.

“Sot më datë 26 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 44 vjeç me vendbanim në Malishevë-Gjilan dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 16.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 17.04.20 në gjendje shumë të rëndë dhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.