Ka shkuar në 232 numri i të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë. Të martën janë regjistruar 31 raste të reja shërimi, ndërsa dhjetë raste të reja kanë dalë pozitive nga 250 testime, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kjo është dita e dytë rresht kur në Kosovë ka më shumë të shëruar se rezultate të reja me infeksion.
Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se rastet e kontaktit janë pesë në Kamenicë (sipas vendbanimit: 5 raste Poliçkë), 3 në Viti (sipas vendbanimit: 3 raste Ramjan), dhe nga 1 rast vendbanimet: Mollopolc-Shtime dhe Rahovec.
Deri tash në Kosovë, në total, janë testuar 6955 mostra të dyshimta. Numri total i të infektuarve deri tash në Kosovë është 790. Si pasojë e koronavirusit kanë vdekur 22 persona.
“Sapo i morëm rezultatet për ditën e sotme. 31 bashkëqytetarë janë të shëruar pas testimeve. Ndërsa nga 250 testime vetëm 10 qytetarë kanë rezultuar të infektuar. E sotmja është dita e dytë kur në vendin tonë shënojmë këto rezultate shpresëdhënëse. Të bashkuar dhe të koordinuar e me përkushtim do ia dalim. Kujdesi duhet të vijojë njëjtë si deri tani, sakrifica e secilit po i jep rezultatet. Ndaj le të jemi të vëmendshëm e solidarë si deri tani”, ka shkruar Vitia në një postim në Facebook.