Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditëve ndaj të pandehurit B.L nga komuna e Kaçanikut për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit është caktuar sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga data e arrestimit 11 nëntor 2015 dhe do të zgjasë deri më 10 dhjetor 2015. Paraburgimi do të mbahet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në QKUK në Prishtinë.
“Pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Masa e paraburgimit është caktuar konform nenit 508 paragrafi 4 të KPPRK-së, ku urdhërohet zbatimi i ekzaminimit dhe dërgimi i të pandehurit në Institutin Forenzik të QKUK-së, në Ekzaminimin e Detyrueshëm, me qëllim të ekzaminimit psikiatrik dhe konstatim – observim të natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjes së sëmundjes mendore, ndikimin që ka pasur gjendja mendore si dhe faktin se a ka mundur që ky i pandehur për t’i kuptuar veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

















