30 aplikime për statusin e Investitorit Strategjik në Kosovë

E publikuar: 18/08/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike ka diskutuar sot kërkesat e disa investitorëve strategjikë për të investuar në Kosovë, si dhe për çështje të tjera, që ndërlidhen me ligjin për investime strategjike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, njoftoi anëtarët e këtij komisioni se deri më tani janë paraqitur 30 aplikues për të marrë statusin e investitorit strategjik në Kosovë.

Sipas tij, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë në shërbim të të gjithë investitorëve duke iu krijuar kushte dhe lehtësira për të investuar kapitalin e tyre në vendin tonë.

Në takim u shqyrtua edhe rekomandimi i Komisionit Operacional për subjektin “Kosmote Foods” për të cilin do të kërkohet interpretim nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë dhe pastaj të vendoset për aprovimin e kërkesës për investim strategjik.

Po ashtu, të pranishmit u njoftuan edhe për ecurinë e punës së Grupit Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjes së aplikimit për subjektin “Unitas Energy”, ku u bë e ditur se lënda është në fazën e pritjes.

Gjithashtu, në takim u vendos për formimin e dy grupeve të reja operacionale, që do t`i shqyrtojnë kërkesat e dy investitorëve të tjerë strategjikë “MOXIKO-LUMA KOSOVO LLC” dhe “HILL ROME LTD.

Në fund të këtij takimi u theksua nevoja për ndryshime në Ligjin për Investime të Huaja, për shkak të rrezikut nga paditë e mundshme në arbitrazh, ku u shfaq brengosja se Kosova po humb miliona nga këto padi.