Familjeve shqiptare që përmendi Ministrja britanike e Punëve të Brendshme, Shabana Mahmood, se do deportohen nga Britania, pasi u ka mbaruar e drejta e qëndrimit në ishull, mund tu ofrohen më shumë se 3 mijë stërlina për t’u larguar vullnetarisht nga Britania e Madhe.
Kjo pasi Shqipëria ka nënshkruar në 2022-in, marrëveshjen e riatdhesimit të shqiptarëve mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit britanik Rishi Sunak. Ka qenë këtë të premte, Zv- Ministri për Sigurinë e Kufijëve, Alex Norris, i cili deklaroje për median vendase se kjo shumë prej më shumë se 3 mijë stërlinash përbën një investim të mire për taksapaguesit britanik, por nuk pranoj të specifikoj se sa e lartë do jetë kjo shumë që do u jepet.
Qartazi britanikët synojnë të ulin shpenzimet e mbajtjes së familjeve, nëse ata do vazhdonin të qëndronin sado gjatë në Britani, përmes dhënies së kësaj shume. ”Për momentin ne mund t’u paguajmë rreth 3 mijë stërlina”, tha zv-Ministri i Brendshëm britanik “dhe nuk kërkojë ndjesë për një fakt të tillë”.
Ndërkohë në një lajm tjetër, fëmijët e azilantëve që kanë dështuar me kërkesat e tyre të azilit do të largohen nga Britania edhe nëse ata kanë lindur në ishull ,deklaroj Alex Norris. Duke folur për gazetën The Telegraph të Londrës, ai tha se “do deportohen edhe fëmijët e lindur në Britani, dhe rastet do shikohen rast pas rasti dhe në bazë të meritës, sipas ligjeve të emigracionit, por kur ka raste të tilla dhe rrethana të tilla, njerëzit do deportohen”.
Taksapaguesit britanikë vazhdojnë të paguajnë për strehimin e azilkërkuesve me fëmijë të cilëve u është refuzuar azili dhe nuk kanë pranuar të largohen vullnetarisht nga Britania drejt Shqipërisë. Lajmin në fillim për dëbimin e 700 familjeve shqiptare e bëri Ministrja laburiste e Punëve të Brëndshme, Shabana Mahmood, në parlamentin britanik, kur njoftoj reformën në fushën e emigracionit, ndërkohë ajo po shqyrton mundësinë e rritjes së shumës që do u jepet këtyre familjeve, nëse pranojnë të largohen vullnetarisht nga ishulli.
















