Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç ka shpërndarë Parlamentin dhe është gati të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, 3 ditë para se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi u nënshkrua në bazë të nenit 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.
Qeveria e Dritan Abazoviç u rrëzua 7 muaj më parë nga një mocion mosbesimi, pas marrëveshjes që kryeministri nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe.
Më pas, mazhoranca propozoi Miograd Llekiç si mandatar për krijimin e qeverisë së re i cili dështoi të siguronte mbështetjen e 41 nga 81 deputetët e Parlamentit dhe të formonte kabinetin brenda 90 ditësh./Express/