Ka shumë materiale letrare, muzikore dhe shkencore që bëjnë fjalë për “Shërimin Seksual”. Shumica e atyre që i kanë bërë këto materiale dinë vetëm gjysmën e të vërtetës. Ata nuk dinë gjysmën tjetër. Një jetë seksuale e mirë nuk është vetëm një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës tuaj dhe një shpërthim intimiteti me partnerin, por në të njëjtën kohë ajo përmirëson në shumë mënyra edhe shëndetin tuaj. Ju duhet të dini se gjatë seksit digjen shumë kalori, se seksi u çliron nga stresi dhe u ndihmon të flini më mirë.
Por, të gjitha këto përfitime shëndetësore, janë vetëm maja e ajsbergut. Në këtë shkrim do t’u tregoj diçka më shumë. Do t’u tregoj për disa arsye të tjera shëndetësore, që e bëjnë të domosdoshëm ngatërrimin midis çarçafëve, me të dashurin tuaj.
Seksi rrit imunitetin
Kur bëni seks të sigurtë dhe të moderuar, kjo do t’u ndihmojë të mos sëmureni. Kërkuesit shkencorë në disa Universitete, kanë arritur në përfundimin se studentët që bëjnë dashuri një herë, ose dy herë në javë, e kanë shumë të lartë nivelin e imunoglobulinës A, ose ndryshe IgA. Kjo imunoglobulinë është mbrojtësi i parë që ka trupi kundër të ftohtit dhe gripit. Ndodhte ndryshe, me ata që vullnetarisht kishin hequr dorë nga seksi, dhe me ata që bënin seks tre ose më shumë herë në javë. Në këto dy kategoritë e fundit, niveli i imunoglobulinës A nuk rritej.
Seksi lehtëson dhimbjet
Stimulimi vaginal që ndodh gjatë marrëdhënies seksuale, ka efekt të fortë për të bllokuar dhimbjet. Kjo ndodh, kryesisht, nga çlirimi i endorfinave, që janë disa kimikate trunore që ngjajnë me opiumin dhe që çlirohen kur shpërthen orgasma. Studimet kanë treguar se stimulimi i të famshmes “vatrës G”, që çon deri në orgasmë, e rrit pragun e dhimbjes mbi 100%, ndërsa kur stimulimi i kësaj vatre nuk çon në orgasmë, por gruaja ndjen vetëm kënaqësinë e ngacmimit të saj, pragu i dhimbjes rritet mbi 80%.
Këtë studim e ka kryer seksologjia e shquar, Profesoresha e Rutgers University, Beverly Whipple dhe bashkëpuntorët në New Jersey. Studimi i saj titullohet “The Science of Orgasm”.Kjo do të përkthehej në këtë mënyrë: Stimulimi vaginal gjatë një marrëdhënieje seksuale të kënaqshme, heq dhimbjet e kokës, krampet menstruale, dhimbjet e artritit, madje dhe dhimbjet kronike, për një periudhë që zgjat nga disa minuta deri në 24 orë.
Seksi u bën të lumtur dhe u zgjat jetën.
Kënaqësia seksuale lidhet ngushtë me të gjithë kualitetin e jetës. Ajo rrit ndjenjën e mirëqenies psikologjike në çdo moshë, për burrin dhe për gruan. Burrat kanë edhe një përfitim tjetër – seksi u zgjat atyre jetën. Këtë tregoi studimi, që zgjati 10 vjet, i kërkuesve në Universitetin e Bristolit në Angli. Ata studiuan lidhjen midis shpeshtësisë së orgasmës dhe vdekshmërisë në 918 burra të moshës midis 45 dhe 59 vjeç në South Wales. Konkluzioni i studimit: Vdekshmëria ishte 50% më e ulët gjatë periudhës 10 vjeçare tek burrat që kishin arritur orgasma më të shpeshta, dy ose më shumë herë në javë. Vdekshmëria ishte më e lartë tek burrat që e arrinin orgasmën një herë në muaj ose më pak.
Përdoreni, ndryshe e humbët
Tek gratë që janë pas menopauzës, seksi i shpeshtë, tre ose më shumë herë në muaj, parandalon zhvillimin e atrofisë dhe të tharjes vaginale. Kjo shpjegohet në këtë mënyrë: Gratë që angazhohen në aktivitet të rregullt seksual, kanë më shumë estrogjen natyral në trupin e tyre dhe estrogjeni i mbron indet vaginale.
Tek burrat, ejakulacionet (prishjet) e shpeshta, jo vetëm kanë lidhje me funksionimin e mirë seksual, ndërkohë që ata moshohen, por ato ulin edhe rrezikun për kancerin e prostatës. Në një studim të Institutit Nacional të Kancerit në Amerikë, studiuesit gjetën këto të dhëna: Burrat që ejakulonin mbi 21 herë në muaj, rrezikoheshin nga kanceri i prostatës 33% më pak, nga ata që ejakulonin 4 deri 7 herë në muaj. Autorët thonë se zbrazja periodike e prostatës me ejakulacion, bën të shkarkohen jashtë produktet potencialisht karcenogjene që ndodhen në spermatozoidet dhe në spermë. Kjo do të thotë se prishjet e shpeshta e shpëlajnë dhe e ruajnë prostatën.
Seksi rregullon hormonet
Gratë që bëjnë interkursë, më së paku një herë në javë, (kur nuk janë me periodat), i kanë më të rregullta ciklet menstruale. Niveli i estrogjenit në këto gra është më i lartë, nga ai i grave që janë më pak aktive seksualisht. Këtë thonë kërkimet e Institutit “Athena” për Mirëqenien e Grave, në Chester Springs, PA. Ja dhe një përfitim tjetër për gratë: Gra që bëni seks të rregullt çdo javë, kuptojeni sikur merrni një cek sa herë bëni seks. Kurrë mos e humbisni çekun e javës. Ju do të jeni më fertile (pjellore) dhe do të plakeni më ngadalë. Kur të arrini në menopausë, ju do të keni më pak afshe të nxehta, densitet kockor më të mirë, do të gëzoni shëndet kardiovaskular më të mirë dhe do të prekeni më pak nga Alzaimeri.
Ja, përmbledhtas, çfarë desha t’u thoshja sot: Seksi i rregullt me dikë që e doni, nuk i bën mirë vetëm marrëdhënies tuaj, por edhe shëndetit tuaj. Seksi u përmirëson ndjenjën e mirëqenies së trupit dhe të mendjes tuaj. Dr. Adem Harxhi /DITA