Veteranët, pas takimit me Kryeministrin, shpresojnë se kërkesat e tyre do të realizohen

E publikuar: 10/04/2018 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një grup i veteranëve të UÇK-së kanë realizuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilit ia kanë paraqitur kërkesat e tyre.

Një nga pjesëmarrësit e këtij takimi tha se kërkesat e tyre janë:

Njohja e statusit të invalidit të çdo ushtari të vërtetë që e meriton me qenë invalid i luftës
T’i bëhet apel publik prokurorit të shtetit për pastrimin e listave të veteranëve
Kryeministri të merret me njerëz të shoqatave të dala nga lufta të cilët nuk po na përfaqësojnë denjësisht
Protestuesit thanë se Zyra për Veteranë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, nuk është përfaqësuese e të drejtave të tyre, ndërsa theksuan se në takim me kryeministrin kanë qenë edhe zyrtarë të kësaj zyre të cilët kanë premtuar se do të merren masa ndaj shoqatave të dala nga lufta dhe ndaj Komisionit Shtetëror për verifikim të listave të veteranëve, raporton Koha.net.

Ata kanë se kanë hasur në përkrahje të Kryeministrit në kërkesat e tyre, duke thënë se kanë marrë premtimin se këto çështje do të zgjidhen shumë shpejt, duke përmendur afatin 30 ditor për realizimin e kërkesave të tyre.

Haradinaj cakton takim me veteranët protestues pas 40 minutash

12:05 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar shkurt një grup të ish-ushtarëve të pakënaqur të UÇK-së, të cilët po protestojnë me kërkesat, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

Haradinaj u ka thënë protestuesve se është i zënë me një aktivitet dhe ka kërkuar prej tyre të mbajnë një takim pas 40 minutash, për të cilën gjë protestuesit janë pajtuar.

Ndryshe, kërkesat e protestuesve janë pastrimi i listave të veteranëve, njohja e statutit të invalidit të gjithë atyre qe si pasojë e luftës vuajnë nga sëmundjet e ndryshme dhe shkarkimi i komisionit invalidor i tanishëm, i cili luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po ua refuzon njohjen, kurse ata që i kanë blerë certifikatat me lekë po e kalojnë shkallën e invalidit.

Përfundon protesta e veteranëve të UÇK-së me kërkesa për Qeverinë e Prokurorinë

11:34 – Veteranët të UÇK-së kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës në lidhje me fryrjen e listave për kategoritë e dala nga lufta.

Kërkesat e protestuesve janë pastrimi i listave të veteranëve, njohja e statusit të invalidit të gjithë atyre që si pasojë e luftës vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe shkarkimi i komisionit aktual invalidor, i cili “luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po ua refuzon njohjen”, kurse “ata që i kanë blerë certifikatat me lekë po e kalojnë shkallën e invalidit”.

Kërkesat në emër të këtij grupi i ka paraqitur Jeton Selmani nga Zona Operative e Llapit.

“Lusim përfaqësuesit qeveritarë që të ngritin zërin kundër degradimit të vlerave të luftës dhe i bëjmë thirrje prokurorisë që të na thirrin dhe të dëshmojmë. Kemi shoqata, po nuk kemi shoqata, sepse ata përfaqësojnë 45 mijë veteranë të rrejshëm dhe ata janë manipulues të rrejshëm. Për këtë proces të gjithë jemi fajtorë dhe sot kemi thirrur këtë protestë simbolike dhe nuk do t’i ndalim protestat”, tha Selmani.

Nis protesta e veteranëve para ndërtesës së Qeverisë

Një grup i ish-ushtarëve të pakënaqur të UÇK-së kanë nisur protestën në të cilën do të shpalosen tri kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

Veteranët thonë se duhet pastruar listat nga veteranët e rrejshëm dhe manipuluesit të dalin para drejtësisë, raporton Tv Arta.

Ata, në këtë protestë, kërkuan njohje të statusit për veteranët invalidë, e jo, siç thanë ata, veteranëve të rrejshëm.

Veteranët kërkuan nga prokuroria që të nisë hetimet për listat e veteranëve.

Protestuesit kanë akuzuar edhe shoqatat e veteranëve duke thënë se ata po i mbrojnë interesat e veteranëve të rrejshëm.