A jemi veç shtet, apo edhe sovran e demokratik..?!

E publikuar: 15/02/2018 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ardian Azemi

Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, sovran e demokratik, ishte kurorzim i një rrugëtimi të gjatë, të dhimbshëm e me sakrifica. Ishte akti më kulmor dhe një përmbledhje e krejt mundit dhe përpjekjeve shekullore ndër breza tek shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm të saj.

Sot, Kosova kremton dhjetëvjetorin e këtij akti madhor. Dhjetë vjet përpjekje paqësore për ta ndërtua një shtet ligjor e funksional, të qëndrueshëm e të integruar. Vendi ynë, anipse i pavarur, asnjëherë nuk arriti të materializoj atë që është thënë në aktin e shpalljes; sovran e demoktratik. Nuk u bë as sovran e edhe më hiç demokratik.

Në dhjetëvjetorin e lindjes së Republikës sonë, nuk kemi asnjë vepër që na bënë të mburremi me të. Dhjetë vjet nuk janë pak. Kosova ka dështua të bindë botën se e ka përnjëmend me u bë shtet, përkundrazi, kemi dëshmua papjekuri për të udhëheqë me vendin, papërgjegjshmëri institucionale, inate ndër partiake, dhe mungesë e vullnetit për ti ofrua qytetarit stabilitet ekonomik.

Po bëhen afër nëntëmbëdhjetë vjet nga përfundimi i luftës, dhe dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë, Kosova asnjëherë nuk arriti ti bindë investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë për të investuar në mënyrë që të gjenerohen vende të reja pune. Bile, ata që janë ardhë, kanë hasë në barriera e kërkesa ma të pista të mundshme. Deri sot, politika në Kosovë ka dëshmua se nuk është e gatshme të krijoj vende pune, sepse të qenit populli i gjunjëzuar ekonomikisht, manipulimi me të është më i lehtë.

Përgjatë dhjetë vjetëve, vendi ynë ka dështua edhe në politikën e jashtme, edhe në atë të brendshme. Kosova ka dështua të krijoj një gjyqësor të pavarurë, Universitete të pandikuara nga politika, shërbime shëndetësore me standarde minimum të vendeve të rajonit.

Këtë dhjetëvjeçarë e karakterizon edhe degradimi i komunikimit politik. Gjuha e përdorur nga zyrëtar të subjekteve të caktuara politike, ka ndikuar edhe në ndarjen qytetare në grupe; në patriot e tradhëtar, ndarje e cila e kapërcen kufirin e normales. Pra, kemi ardh në një situatë që nëse gjatë ditës nuk shan dhjetëra herë me nanë, nuk mund të shpresosh në përkrahje qytetare. Kësaj dukurie i ka dal në ndihmë edhe media, madje në mas të madhe.

Jemi të prirë me pa veç zi, e realisht nuk është krejt zi. Kosova përgjatë këtyre dhjetë vjet sa është shtet, ka arritë që në sfera të ndryshme të shoqërisë të ecën përpara. Anëtarësimi i federatave sportive të Kosovës në federata ndërkombëtare, pavarësisht penngesave nga Serbia, është një e arritur e madhe. Njohja shtet e Kosovës nga shtetet më të fuqishme të botës, mbetet e arritura më e madhe në rrafshin e jashtëm.

Kosova suksesshëm ka arritë të organizoj zgjedhje të lira dhe demoktratike, dhe lirisht mund të themi se zgjedhjet e fundit nacionale dhe lokale, mund të jenë shembull edhe për vendet e rajonit, ndoshta edhe më gjerë. Infrastruktura rrugore merr notë pozitive, ngase nga një vend totalisht i shkatërruar, kemi arritë të bëhemi një vend me autostrada ma moderne, dhe kjo është duke vazhduar dhe duhet ti duartrokasim.

Festa e dhjetëvjetorit të pavarësisë kalon shpejt, dhe Kosova duhet të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të veta të brendshme dhe të jashtme. Republika e Kosovës duhet të krijoj partneritet serioz me shtetet e fuqishme botërore. Shteti ynë aspiron të anëtarësohet edhe në struktura të larta të sigurisë, dhe kjo mbetet një sfidë për institucionet e vendit. Liberalizimi i vizave, marrja e statusit të vendit kandidat për BE, do të varen nga mënyra sesi qeveriset në Kosovë dhe a do të ketë një platformë të re për dialog me Serbinë.

Për fund, Kosova e ka mundësinë të bëhet shtet serioz, i qëndrueshëm, madje edhe sovran e demokratik, veç nëse qeveria aktuale e merr seriozisht dialon me Serbinë, dhe kërkon afatizime. Një tryezë e përbashkët, pozitë e opozitë, edhe shoqëria civile, për të krijuar një platformë sesi të ecet tutje në dialogun në Bruksel, do të ishte mundësi e mirë që Kosova të jetë e barabartë me shtetet tjera në strategjinë e re të BE-s.

Urime Kosovë dhjetëvjetori i Pavarësisë!