Sot është ditëlindja e parë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, pas ndarjes së tij nga jeta.
Ditëlindjen e shkrimtarit e ka kujtuar Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke e vlerësuar veprën e tij si një dëshmi për lashtësinë dhe identitetin evropian të shqiptarëve.
Në një mesazh në rrjete sociale Begaj shprehet se Kadare do të jetojë përmes veprave të tij dhe do të vazhdojë t’i tregojë botës dramën historike dhe vitalitetin e kombit shqiptar.
Mesazhi i plotë i Begajt:
“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore.
Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare. Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste.
Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.