27 vjet pas Rambujesë – Ramë Buja rrëfen prapaskenat e konferencës që ndryshoi historinë

E publikuar: 06/02/2026 21:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë e Lajmeve Kosova Press, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramë Buja, ka shpalosur detaje të panjohura më parë rreth Konferencës së Rambujesë, 27 vjet pas zhvillimit të saj.

Duke e përshkruar atë periudhë si një kthesë vendimtare për fatin e Kosovës, Buja si ish-anëtari delegacionit Kosovar, ka ofruar një vështrim të thellë mbi sfidat ushtarake, diplomatike dhe personale me të cilat u përball delegacioni shqiptar në shkurtin e vitit 1999.
Rrëfimi i Bujës nis me situatën kritike në terren para nisjes për në Francë. Ai zbulon se UÇK-ja ndodhej në një moment delikat, me mungesë të theksuar municioni dhe me nevojën urgjente për të fituar kohë dhe mbështetje ndërkombëtare. Vendimi për të shkuar në Rambuje nuk ishte thjesht diplomatik, por një manovër ekzistenciale për të shpëtuar bërthamën e rezistencës së armatosur dhe për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në nivelet më të larta botërore.

“Çështja e një konference ndërkombëtare për Kosovën është nisur diku në qershor apo korrik të vitit ‘98. Kur trojka europiane vije në Kleçkë dhe na takon Jakup Krasniqin, Fatmir Limën dhe mua dhe aty filloi një farë forme ai propozimi se a jeni të gatshëm ju të shkoni në një konferencë ndërkombëtare kudo që do bëhet në në Evropë apo botë për të realizuar atë që ju mund të pretendoni për të realizuar. Faktikisht, pastaj shkoi kohë relativisht e gjatë prej asaj kohe dhe ëh, ishte problem jo i voçkël apo jo i vogël kombinimi dhe strukturimi i delegacionit, sepse do duhej të ishin pjesëtarët e delegacionit edhe ata të cilët ishin në Prishtinë dhe nuk ishin pjesë e luftës. Pastaj një pjesë tjetër që ishte edhe andej edhe këndej, dhe pastaj një pjesë e delegacionit që ishin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ata ishin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ram Buja. Kështu që këta ishim ne të UÇK-së dhe nuk ishte e lehtë ajo që të pranonim për të shkuar sepse 10 pikat nismëtare për ta pranuar konferencën si të tillë çfarë ishte, ishin të rënda. Por ne si delegacion i UÇK-së, i dinim pozicionet tona. Ishim në një pozicion shumë të rëndë për faktin që na u kishin, na kishin ardhur gati në fund municionet. Dhe e kishim hallin ta zgjasim jetën, ta zgjasim kohën që ushtarët tanë të furnizoheshin me municione dhe me armatim që të vazhdohet lufta. Nuk e kishim iluzionin hiç të përafërt që ne në Rambuje do të realizojmë diçka që është madhështore për Kosovën. Por të fitojmë kohë dhe ta bëjmë UÇK-në më të njohur në botë. Sepse një konferencë e tillë, padyshim që do përcillej nga të gjithë mediat e televizionet e botës dhe do tregojmë se cila është e vërteta e luftës sonë”, tha ai.

Një nga momentet më dramatike të intervistës është përshkrimi i kërkesës së pazakontë të delegacionit të UÇK-së për t’u nisur të armatosur drejt aeroportit të Prishtinës, i cili kontrollohej nga forcat serbe. Buja tregon se si ata ishin të gatshëm të vetëvriteshin sesa të dorëzoheshin të gjallë në duart e regjimit të Milosheviqit, një detaj që dëshmon vendosmërinë sublime të luftëtarëve të lirisë.

“Dhe është një mik që akoma është gjallë dhe jemi përshëndetur shpesh me të, Shawn Byrnes, që ka bërë punë të jashtëzakonshme rreth delegacionit dhe për delegacionin dhe për Kosovën për këtë çështje, saqë kemi pasur hallin se si do shkojmë në Rambuje. Dhe kjo si do shkojmë në Rambuje, kishim hallin ne që do të shkojmë në aeroportin e Prishtinës, dhe në aeroport të Prishtinës dihej që ishin forcat serbe. Dhe ne bëmë një kërkesë jo të zakonshme për delegacionin amerikan dhe për Shaën Byrnes-in, që ne kërkojmë që në Rambuje të shkojmë të armatosur. Ishte diçka që s’nuk ka ndodhur dhe s’i dihet, nuk mendonin dot se çfarë kërkese është kjo. Dhe na thanë jo, s’është e mundur kjo gjë të bëhet. Po kur ua sqaruam se përse duam të shkojmë të armatosur me armë të lehta, me armë të vogla, në Aeroportin e Prishtinës dhe i thamë, ne nuk do bëjmë luftë aty. As që s’e dihet kjo punë. Por nuk dorëzohemi të gjallë në tek forcat serbe. E kemi hallin, nëse na vije puna që ata vijnë në pozicion aq të rëndë, na vijnë në pozicion aq të rëndë, ne vrasim veten. Ky është qëllimi i marrjes së armës me vete. Nuk ka gjë tjetër. Dhe atëherë menjëherë kanë thënë po, do ta keni. Dhe kështu domethënë ne shkuam të armatosur me ato që armë që kishim, armë të lehta ose revole..

Udhëtimi që do të ndryshonte rrjedhën e historisë së Kosovës nuk filloi me bujë ushtarake, por me një kërkim të ethshëm për rroba civile.

Për ne, sepse s’kishim rroba civile. Dhe dikush na binte rroba të ndryshme dhe tash dikujt i binin të mëdha, dikujt të vogla. Dhe dikur na merr në telefon Shën Blozi dhe thotë, miqtë e mi, mos u brengosni për këtë punë, sepse disa miq tuaj janë të gatshëm t’ju furnizojnë, t’ju blejnë dhe t’ju sjellin… ne ju sjellim rrobat prej Prishtinës. Dhe na sollën, nuk e di sa valixhe, dy-tre valixhe, që të kemi mundësi edhe t’i ndërrojmë ato. Na erdhën në Shalë. Po tash u dashke ta kemi edhe një mjeshtër që i lidh kravatat. Dhe unë dikur që di t’i lidh kravatat. Nusja ime, Fatimja na i kthente këto rrethin e pantallonave, e lidhjen e kravatave, na i bëri ato gati dhe ne u nisëm të përgatitur. Por për të na marrë në Shalë erdhën dy makina të blinduara të KDOM-it amerikan atëherë dhe ishte interesant që ne shkonim për në aeroport të Prishtinës dhe ishte një ndjenjë e çuditshme e një gëzimi të veçantë. E dinim që mund të përfundonim në aeroport. E dinim atë, ne ishim të ndërgjegjshëm. Por, ishim të gëzuar se po shkojmë në një konferencë ndërkombëtare që do ta bëjmë vërtet ndërkombëtare krejt kërkesën tonë për liri.

Buja hedh dritë gjithashtu mbi solidaritetin e brendshëm dhe mbështetjen popullore. Një njësi speciale e UÇK-së nga Kleçksiguroi përcjelljen e tyre në një zonë me rrezikshmëri të lartë afër aeroportit. Para nisjes, u bë një përcjellje formale ushtarake. Derisa popullsia e Shalës dhe fshatrave përreth u mblodh për t’i parë me gëzim dhe shpresë të madhe.

Një nga dëshmitë më ekskluzive dhe historike që sjell Buja në këtë intervistë është rrëfimi mbi takimin me Komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Wesley Clark, në një lokacion tjetër jashtë Rambujesë.

Së fundmi, profesori bën një lidhje të drejtpërdrejtë mes ngjarjeve të vitit 1999 dhe procesit aktual gjyqësor në Hagë. Ai argumenton se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së do të ishte një dënim për vetë historinë e ndërhyrjes së NATO-s dhe vlerave demokratike perëndimore. Me tone të ashpra kritike ndaj Gjykatës Speciale, Buja mbron pastërtinë e luftës çlirimtare dhe bën thirrje për njohjen e sakrificës së atyre që sot po gjykohen padrejtësisht, duke nënvizuar se pa UÇK-në, as ndihma e aleatëve nuk do të kishte qenë e mundur.