27 % e shqiptarëve me kredi

E publikuar: 26/01/2016 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një në katër shqiptarë figuron në regjistrin e kredive për vitin 2015. Edhe pse nuk është një llogaritje e drejtpërdrejtë, kjo është e dhëna që jep Banka Botërore mbi përqindjen e të rriturve që janë të regjistruar në regjistrin publik të kredive në banka.
Konkretisht në vitin 2015 përqindja e atyre që janë në këtë regjsitër është 27.1 për qind, çka tregon për një rritje të dukshme krahasur me vitin 2014 kur në të njëjtin regjistër ishin 16.7 për qind e popullsisë së rritur në vend. Në vitin 2013 i njëjti regjistër përfshinte 13.1 për qind të popullsisë së rritur kurse në 2012 shifra është 19.7 për qind.
Por çfarë ka parasysh përqindja që jep Banka Botërore kur vlerëson mbulimin e regjistrit publik të kredive. Ky sistem raporton numrin e individëve dhe firmave të listuara në regjistrin publik të kredive me informacionin më të fundit për historinë e ripagesave, borxhet, apo kreditë e vonuara. Numri shprehet si përqindje e popullsisë së rritur pra nga 18 e lart.
Shifrat
Viti 2015 27.1%
Viti 2014 16.7%
Viti 2013 13.1%
Viti 2012 19.7%