Me 26 Mars 1981 u vunë themelet e Republikës së Kosovës

E publikuar: 26/03/2016 15:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

26 Marsi i vitit 1981 përbën një kthesë të madhe në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi. Sot duhet të ndihen krenar të gjithë ata që me gjak, djerse dhe shumë vite burg kontribuuan në jetësimin e Republikës së Kosovë. Lufta për Sovranitet politik ekonomik dhe territorial vazhdon.

Faton Topalli, Ferizaj
Nuk ka dyshim që 26 Marsi i vitit 1981 bëri një kthesë historike në Lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës. Këto ngjarje jo vetëm që krijojnë një moment kualitativ në rritjen e rezistencës ndaj pushtetit jugosllav dhe pushtetit serb mbi Kosovën, por ato shënojnë edhe fillimin e shkatërrimit të Jugosllavisë e cila po i mbante padrejtësisht të pushtuar dhe po i trajtonte si jo të barabartë shqiptarët.
Me 26 Mars të vitit 1981 student, punëtorë, të rinj dhe qytetarë të tjerë ia mësyn rrugëve të Prishtinës dhe më pas shumicës së qyteteve të Kosovës për të kërkuar që Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi tu njihej statusi i Republikës. Kërkesa për Republikë synonte arritjen e pavarësisë politike, ekonomike dhe territoriale për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera në Jugosllavi.
Në këtë kohë shqiptarët në Federatën Jugosllave, pas serbeve dhe kroatëve ishin të tretit për nga numri i popullsisë, por i vetmi komb i cili nuk kishte republikën e tij. Përkundrazi ata ishin të ndarë brenda tri republikave për tu shtypur dhe sunduar më lehtë. Dihet që këto ngjarje u shtypën me dhunë, por ato përhapën edhe më shumë farën e lirisë. Ato bënë që i gjithë spektri i Lëvizjes Ilegale të bashkohej me një platformë politike për Republikë e cila u kurorëzua me 17 Mars 1982 kur me nënshkrimet e Abdullah Prapashticës, Sabri Novoselles, Osman Osmanit, Xhafer Durmishit , Faton Topallit dhe disa muaj më vonë edhe të Xhafer Shatrit (në prezencën edhe të Hasan Malës) u krijua Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare ne Jugosllavi, e cila më vonë ndryshoi emrin në Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. LPRK, më vonë LPK ishte pastaj gurë themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Çuditërisht, edhe pse shumica e historianëve, analistëve, gazetarëve të brendshëm dhe të jashtëm i shikojnë këto ngjarje si përcaktuese për zhvillimet pozitive për shqiptarët gjatë 35 viteve të fundit, ka pasur vazhdimisht zëra që janë përpjekur për ta minimizuar rolin e tyre e madje për ti paraqitur si ngjarje të organizuara nga Beogradi. Kështu kolaboratorët shqiptar që ishin pjesë e pushtetit serb ne Kosovë, mes tyre edhe Azem Vllasi u përpoqën t’i paraqisnin ato si ngjarje të organizuara nga Rusia, Evropa perëndimore, Amerika, apo edhe Shqipëria, ndërsa pati edhe ndonjë zë të vetmuar që organizimin e tyre ia atribuonin Serbisë, bile bile edhe Bullgarisë.
Fakt është që shumica e protagonistëve të këtyre ngjarjeve jetojnë. Tashmë nuk ka mbetur asgjë pa u ndriçuar. Dihet cila ishte platforma politike për këtë lëvizje, dihet si filluan dhe si përfunduan. E vetmja gjë që mbetet për tu analizuar janë përpjekjet e atyre që dëshirojnë që këtyre ngjarjeve tu vihet një hije e zezë dhe të konstatohet se cilave interesa u shërbejnë përpjekjet e tyre. Abdullah Prapashtica ishte një prej protagonistëve kryesor të këtyre ngjarjeve. Pati shumë përpjekje që duke njollosur emrin e tij ti vihej hije e zezë këtyre ngjarjeve. Prapashtica asokohe ishte njëri prej pak shqiptareve të Kosovës që punonte ne Sigurimin Shtetëror, ndërsa Skender Ibishi në Ushtrinë jugosllave dhe i ishin bashkangjitur Lëvizjes Ilegale. Në historinë e popullit shqiptar ka pak figura historike që kishin bërë diçka të tillë dhe mes tyre, pa dashur dhe pa pretenduar të bëj baraspeshë në merita dhe peshë historike, mund të përmend Skënderbeun, Ismail Qemailin dhe Hasan Prishtinën, që mbanin poste të rëndësishme në pushtetin Otoman, por që i ishin bashkangjitur Lëvizjes Kombëtare dhe ishin vënë në ballë të sajë. Deri më sot askujt nuk i ka shkuar mendja për ti njollosur ata se kanë bërë veprime në shërbim të pushtetit Otoman. Për të gjithë ata që nuk e dinë, vëllau i Abdullah Prapashticës, Adem Prapashtica bashkë mes shumë shokë e shoqe të Abdullahut u dënuan deri më 14 vite burg. Ademi nga 11 vjet sa ishte dënuar mbajti 8 prej tyre dhe prej 8 vitesh burg 5 vite i kaloi në vetmi. Abdullah Prapashtica ishte pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ndihmësministër në Qeverinë e Përkohshme. Unë jam krenar që një pjesë të rrugëtimit për liri e kam bërë krah tij.
Sot me 26 Mars të vitit 2016, nuk mund të mos vlerësohen dhe përkujtohen të gjithë ata të cilët me jetën e tyre, duke i vënë gjokset e tyre para tankeve serbe dhanë kontributin e tyre për ngjarjet e vitit 1981. Në qindra procese politike u dënuan mijëra shqiptar dhe mbajtën qindra vite burg vetëm se kishin kërkuar drejtësi dhe barazi për shqiptarët në Jugosllavi. Mes tyre dua të veçoj të burgosurin dhe shokun tim Afrim Abazi, i nga Ferizaj i cili mori dënimin kapital me vdekje, pa gjyq, te cilin pushteti serb e hodhi nga kati i pestë i ndërtesës së policisë në Ferizaj. Afrim Abazi është i vetmi i burgosur politik i dënuar me vdekje dhe pa gjyq. Vrasësit e tij enden të lirë dhe nuk janë hedhur as sot para gjyqit.
Sot duhet të ndihen krenar të gjithë ata që me aktivitetet e tyre qoftë organizative, qoftë politike, qoftë përmes pjesëmarrjes në demonstrate kontribuuan që Republika e Kosovës të kthehet në realitet. Dhe ata nuk janë pak, janë me dhjetëra mijëra. Një pjesë e tyre po vazhdojnë në mënyrë aktive ndërtimin e Republikës, sovranitetin ekonomik, politik dhe territorial të sajë. Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Sami Kurteshi e mijëra të tjerë i janë bashkangjitur Lëvizjes Vetëvendosje. Ideja një komb një shtet e realizuar nga shumica e vendeve evropiane vazhdon të mbetet edhe më tutje një kauzë që mbetet për tu realizuar. Përpjekjet për t’i njollosur këto ngjarje janë përpjekje për të hedhur hi në njërën nga pjesët më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar.
*Faton Topalli ishte pjesëtar i Lëvizjes për Republikë dhe pjesëmarrës në mbledhjen e bashkimit të organizatave politike në Lëvizjen për Republikën Sociale Shqiptare ne Jugosllavi. Tani ai është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ne Kuvendin e Republikës së Kosovës.