Qysh kish me thane edhe Kryeministri: ‘vakti e ha kashtën’.
Kështu e ka përmbledhur një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, analisti politik nga Instituti GAP, Agron Demi, deklaratë kjo e Haradinajt e bërë rreth 3 vjet më parë.
Në kohën kur Haradinaj ishte pjesë e opozitës dhe me vendin qeverisnin LDK me PDK-në, ai thoshte se “me një gjendje socio-ekonomike në të cilën gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësministër”.
“Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të Ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një Zëvendësministër për Ministri. Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”, thoshte Haradinaj në postimin e tij të bërë më 16 dhjetor, 2014, raporton Koha.net.
Ai pati thënë se zvogëlimi i kabinetit qeveritar është domosdoshmëri dhe se “qasja e tanishme tregon se Kosova po forcohet në Parti-Shtet”.
Mirëpo, 3 vjet më pas, Haradinaj është në postin e kryeministrit, dhe pothuajse si kurrë më parë, numri i zëvendësministrave është rritur drastikisht, duke mbërritur në 62 deri më sot.
Në ministri të caktuara, numri i tyre ka shkuar deri në 5, ndërsa ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ditë më parë është ankuar në numrin e madh të zv/ministrave, duke thënë se e kanë problem rehatimin e tyre.
Madje, edhe tashmë shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, vitin e kaluar e kishte kritikuar Qeverinë Mustafa se “është më e madhe se e Kinës”.
Ndërsa tani, Isufi ka thënë se numri i madh i ministrive dhe i zëvendësministrave, më i madh se ai gjatë Qeverisë Mustafa, arsyetohet me faktin se në koalicionin qeverisës janë shumë parti.


















