Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka bërë të ditur se deri më sot janë regjistruar 252 219 ndërtime pa leje në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ministri Ferid Agani ka konfirmuar se regjistrimi i ndërtimeve pa leje mund të bëhet vetëm deri më 11 qershor 2015 dhe se nuk do të ketë afat tjetër shtesë.
Në një konferencë të përbashkët shtypi, ministri i Mjedisit, Agani, dhe ai i Diasporës, Valon Murati, kanë dhënë detaje rreth procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje legalizimi për bashkatdhetarët kosovarë në diasporë.
“Sikur dihet, shumë qytetarë tanë që jetojnë dhe veprojnë në Diasporë kanë ndërtime në Kosovë. Ministria e Diasporës dhe Ministri Murati do të bashkëpunojë me Ministrinë tonë që të na ndihmojnë në informimin e qytetarëve tanë në Diasporë për tërë procesin e Legalizimit, e sidomos tash kur nuk ka mbetur edhe shumë kohë për regjistrim”, tha Agani.
Ai ka ftuar qytetarët që mund të kontrollojnë Regjistrin e Ndërtimeve pa Leje të regjistruara deri më 5 shkurt 2015, ndërsa pas 11 qershorit 2015 Regjistri do të plotësohet me listën e ndërtimeve të regjistruara nga 5 shkurti deri më 11 qershor 2015.
“Përveç Listës së Regjistrit të Ndërtimeve pa Leje që është online në webfaqen e Ministrisë tonë, tani qytetaret kanë mundësi të shohin edhe në mënyrë grafike përmes paraqitjes së ndërtimeve pa leje në Orto Foto”, ka saktësuar ministri i MMPH-së.
Ai i ka ftuar qytetarët që të kontrollojnë se a është përfshirë Ndërtimi i tyre në Regjistrin e ndërtimeve, si atë në Listë po ashtu edhe në Hartë, dhe nëse hasin në ndonjë gabim ta lajmërojnë Komunën e tyre përmes formularit për ankesa, i cili po ashtu është i publikuar në web faqe.
Image
Edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, ka theksuar se është me rëndësi që të gjithë qytetarët e Kosovës edhe ata në Diasporë të shfrytëzojnë ketë mundësi dhe t’i legalizojnë ndërtimet e tyre.
“Të gjithë qytetarët në Diasporë të cilët kanë ndonjë ndërtim, shtëpi, banesë, lokal etj., pa leje, duhet të shfrytëzojnë rastin dhe t’i regjistrojnë ato ndërtime në mënyrë që të bëhen pjesë e procesit të legalizimit. Regjistrimi i ndërtimeve pa leje mund të bëhet vetëm deri me datën 11 qershor 2015. Regjistrimi është falas. Vetëm duhet të plotësohet formulari për regjistrim i cili mund të shkarkohet nga web faqja e MMPH-së dhe Ministrisë së Diasporës dhe të dorëzohet në Komunën ku gjendet ndërtimi”.
“Bashkatdhetarët mund të autorizojnë dikë tjetër, që në emër të tyre të mund ta dorëzojnë formularin në zyrat komunale”, ka shpjeguar Murati.
Me legalizimin e ndërtimit të tyre, qytetarëve iu mundësohet që ndërtimi i tyre të bëhet i ligjshëm dhe i sigurt për banim; të kalojnë hapin e parë të regjistrimit të ndërtimit në Kadastër; ndërtimi mund të shërbejë si hipotekë për marrje të kredive nga bankat; Komuna mund të planifikojë dhe të ofrojë shërbime për të cilat kanë nevojë, dhe të mos shqetësohen se ndërtimi i tyre do të rrënohet.
Gjatë “Ditëve të Diasporës” nga 1 korrik deri më 2 gusht, përveç aktiviteteve të tjera të parapara, Ministria e Diasporës, së bashku me atë të Mjedisit, do të informojë qytetarët e diasporës për së afërmi për procesin e legalizimit.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është sponzorizuese e Ligjit Nr. 04/L- 188 Për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili ka hyrë në fuqi më 5 shkurt 2014 dhe përfundon më 5 shkurt 2017.
Krei i MMPH-së ka theksuar se ky ligj është me rëndësi të madhe për vendin tonë, pasi që përfundimisht do të kenë informata të sakta se çfarë dhe ku gjenden ndërtimet pa leje, si dhe njëkohësisht është një mundësi e mirë për qytetarët që të shfrytëzojnë rastin dhe t’i legalizojnë ndërtimet e tyre.
Sipas tij, me këtë përmbyllet kapitulli i anarkisë në ndërtim dhe do të fillohet të ndërtohet me standarde dhe rregulla të përcaktuara në ligjet përkatëse./Ekonomiaonline/