Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin dhe Heroin e Kosovës, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të historisë së re të vendit.
Abdixhiku tha se muaji i nëntorit, përkundër festave kombëtare, mbetet i rëndë për LDK-në dhe familjen Mustafa.
“Nëntori i festave tona kombëtare mbetet muaj i dhembjes për familjen Mustafa, për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për mbarë vendin,” u shpreh ai, duke kujtuar ditën e 23 nëntorit 2000, kur Mustafa u vra para banesës së tij.
Kryetari i LDK-së e përshkroi Mustafën si figurë të rrallë të mendimit dhe veprimit politik.
“Xhema ishte fjalëpaku, punëtori i palodhur, njeriu i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Si ideator, themelues dhe veprimtar i LDK-së, ai qëndroi përkrah Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet më të vështira të shtetformimit,” tha ai.
Abdixhiku vlerësoi edhe rolin e Mustafës në fushën e gazetarisë dhe publicistikës.
“Si gazetar, publicist e shkrimtar, arma e tij më e fortë ishte pena e cila mbeti besnike ndaj tij edhe pas vdekjes,” theksoi ai, duke përmendur veprën “Një lutje për Prishtinën” si pasqyrë të realitetit të vitit 1999.
Ai shtoi se mungesa e drejtësisë për këtë vrasje mbetet plagë e hapur.
“Dhimbja rritet çdo ditë që zbardhja e këtij krimi mungon. Ata që s’e deshën lirinë e Kosovës, nuk e deshën as Xhemën. Detyrim i yni është gjetja e autorëve të këtij krimi,” deklaroi Abdixhiku.
Akademia Përkujtimore për Xhemail Mustafën do të mbahet nesër (të hënën) nga ora 12:00, në ish-objektin e Gërmisë, pranë sheshit “Skënderbeu”.

















